E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i zëvendëson institucionet me restorante



65 deputetët e Partisë Socialiste, shumica prej të cilëve për herë të parë deputet, nuk e kanë parë akoma derën e Kuvendit të Shqipërisë për të cilin kanë marrë mandatin nga zgjedhësit më 28 qershor. Kreu i partisë, Edi Rama, ka vendosur të bojkotojë punimet e Kuvendit dhe pse vetë nuk është deputet dhe kësisoj i mbledh deputetët socialistë një herë në javë në ndonjë restorant për të ngrënë dhe për të bërë muhabet. Kështu ka ndodhur dhe dje, kur kreu i partisë nuk ka zgjedhur selinë e partisë për të bërë një mbledhje politike me deputetët e partisë, për të diskutuar për vazhdimin e bojkotit apo protestën e afërme, por ka zgjedhur një restorant në komunën Ibë në rrugën nga Tirana për në Elbasan. Sipas burimeve nga kjo drekë, aty kanë munguar pesë deputetët që i kanë dalë tashmë kundër Ramës për bojkotin dhe për vijën politike që po ndjek partia në opozitë. Por përveç tyre, kanë munduar dhe deputetët Taulant Balla dhe Tom Doshi. Nuk dihen arsyet që kanë shtyrë këta dy deputetë që të mos shkojnë në drekën e Ramës, ndërkohë që ata njihen si mbështetës të Ramës. Të paktën Balla e ka qartësuar publikisht qëndrimin e tij pro kryetarit, por nga deputeti i Shkodrës, i cili nuk është shumë aktiv në debatet dhe ndarjet e palëve në parti, mund të pritet ndonjë surprizë. Sipas burimeve nga dreka, nuk ka pasur ndonjë gjë për t’u shënuar, pasi ka qenë një bisedë formale dhe nuk ka pasur vend për ndryshimin e kursit politik apo marrjes së vendimeve të reja në lidhje me veprimtarinë e mëtejshme të grupit. Ndoshta dhe kjo drekë mund të shihet si një falënderim që Rama u bën për lodhjen e tyre ditën e 26 shtatorit, kur u votua për kryetarin e ri. Të gjithë deputetët mbështetës shkuan në zonat e tyre duke mbikëqyrur nga afër procesin e votimit, megjithëse nga pala kundërshtare kjo gjë u pa si një presion i hapur mbi bazën socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›