E Diel, 1 Nëntor 2026

OPEC inspekton investimet në spitale

Drejtori i përgjithshëm i Fondit OPEC për zhvillim premton të tjera financime të projekteve spitalore në Shqipëri. Gjatë një inspektimi të spitalit të Durrësit dhe Kavajës ku OPEC ka dhënë financime të rëndësishme për infrastrukturën spitalore, kreu i tij, Al Harabish, u deklarua i kënaqur nga investimet e bëra dhe tha se do të shihen me seriozitet edhe projektet e tjera të paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë për financime. I pyetur nga "Shqip" për rikonstruksionin e Pediatrisë së Durrësit, i vetmi shërbim i cili nuk ka përfituar nga ndërtimi i kompleksit të ri spitalor në Durrës, kreu i Fondit për Zhvillim të OPEC-ut u tregua i gatshëm ta vendosë mbështetjen për këtë projekt në krye të listës, pasi "ne të gjithë i duam fëmijët dhe duhet të punojmë për ta". Ai shoqërohej në këtë takim nga zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, i cili u shpreh i kënaqur nga kjo vizitë dhe inspektimet e bëra. OPEC dhe Banka Islamike kanë dhënë 7 milionë euro për ndërtimin e maternitetit dhe patologjisë, ndërkohë që 1,5 milionë euro të tjera janë dhënë për pajisjen e maternitetit me mjetet e nevojshme për një funksionim normal. Ndërkohë 300 mijë euro janë dhënë nga qeveria për pajisjen me aparatura të kardiologjisë në spitalin e Durrësit.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›