E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e energjisë në rajon drejt rritjes

Çmimet e energjisë elektrike gjatë vitit të ardhshëm në Ballkanin Perëndimor pritet të kenë tendencë rritëse, kryesisht si pasojë e rigjallërimit të kërkesës nga konsumatorët e mëdhenj industrialë në Bosnjë, Kroaci e Mal të Zi, bëhet e ditur nga agjencia e specializuar e lajmeve Energetika.net.

Javën e shkuar korporata elektroenergjetike e Malit të Zi shpalli rezultatet e tenderit për blerjen e energjisë elektrike nga importi për vitin 2010. Çmimi mesatar i energjisë së blerë qe 50 euro për MW/orë, ndërkohë që këtë vit ka qenë 40 euro për MWh. Çmimet e energjisë në Ballkan arritën kulmin në vitin 2008, kur disa vende u detyruan të paguajnë deri në 100 euro për MWh.

Në tender morën pjesë 14 kompani. Kompania malazeze zgjodhi dy kompani serbe, një sllovene, një zvicerane dhe një nga Republika Çeke. Gjithsej u blenë 817 milionë kilovatorë, sasi kjo e barabartë me gjysmën e konsumit të republikës së vogël. Kompania e shumëdebatuar serbe EFT e drejtuar nga Vuk Hamović, do të furnizojë gjysmën e energjisë së importuar në Malin e Zi. EFT ka arritur të kontrollojë prej vitesh tregtinë e energjisë në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Malin e Zi, Bosnjë e Kroaci, duke shfrytëzuar faktin se shumica dërrmuese e linjave të furnizimit drejt Ballkanit Perëndimor kalojnë përmes territorit të Serbisë. Serbia ka nënshkruar një marrëveshje rajonale të njohur si Protokolli i Athinës, në bazë të së cilës linjat e transmetimit duhet të jenë të hapura për të gjithë, por përmes teknikaliteteve të ndryshme, në fakt linjat nuk janë të hapura. Për pasojë, çmimet e energjisë elektrike për Ballkanin Perëndimor janë zakonisht dy herë më të larta se sa çmimet në Rumani e Bullgari, ku blihet pjesa më e madhe e energjisë së konsumuar në anën tjetër të Ballkanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›