E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Dua dyfish fonde për bujqësinë

Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit i është kërkuar rritje e lartë e prodhimit brenda harkut kohor 2-vjeçar, por për të arritur objektivin nevojiten fonde. I gjendur në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, ministri Genc Ruli paraqiti kërkesën për dyfishim të fondeve, në mënyrë që të zbatohet kërkesa e Kryeministrit për zhvillim të sektorit. "Më është kërkuar dyfishim i prodhimit në bujqësi, modernizim dhe zhvillim për sektorin. Këtë detyrë mund ta arrij, nëse qeveria më jep dyfish fonde. Tani që diskutohet projektbuxheti 2010, është rasti i duhur për të marrë në konsideratë kërkesat tona", tha dje ministri i ri i Bujqësisë, Ruli. I thirrur për të raportuar përpara kryetarit të komisionit, Jemin Gjana, rreth analizës të progres-raportit të BE-së, ministri Ruli evidentoi disa probleme që pengojnë zhvillimin e sektorit. "Është e vërtetë që ka pasur rritje të fondeve për mbështetjen e fermerëve, por këto nuk mjaftojnë, nëse kemi parasysh infrastrukturën e dobët. Fermeri, përveç subvencionit, ka nevojë për rrugë, ujë dhe drita", tha Ruli, i cili raportoi punën e bërë nga Ministria e Bujqësisë gjatë periudhës tetor 2008-shtator 2009. Më tej, Ruli tha hapur se nevojitet shumë punë, në mënyrë që të arrihet një konkurrueshmëri me vendet e BE-së. "Imagjinoni buxhetin e BE-së, rreth 500 miliardë euro, përpara kapacitetit tonë. Për të konkurruar me produktet tona, kërkohen më shumë investime në infrastrukturë. Tjetër problem është certifikimi. Si fillim na duhen disa laboratorë për analizat e produkteve bujqësore. Mungesa e tyre na e bën punën më të vështirë drejt certifikimit të produktit", tha Ruli.

Në përfundim të fjalës, ministri kërkoi mbështetjen e anëtarëve të komisionit kur do të diskutohet projektbuxheti i vitit 2010. Në komision morën pjesë vetëm tre anëtarë, nga 15 që mund të jenë gjithsej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›