Kledi Kadiu “çmend” Mesdheun, në Peskara
Leonard Karaj
Pas Romela Begajt dhe Erkand Qerimajt, medalja e artë e Shqipërisë në Peskara 2009" quhet Kledi Kadiu. Një vizitë surprizë e balerinit shqiptar që jeton prej 18 vjetësh në Itali ka thuajse sfumuar triumfin e dy peshëngritësve tanë në ktë eveniment. Vëmendja të paktën për disa orë është kthyer vetëm tek ai, i cilësuar edhe si një nga balerinët më të mirë të dekadës së fundit në shtetin fqinj. “Edhe vallëzimi është një lloj sporti ndaj prezenca ime në këto lojëra pak a shumë përkon me atë çka unë bëj në të përditshmen time”, pohon Kledi Kadiu në një prononcim për mediat.
Vizita
Mbrëmjen e së hënës prej orës 22:00 Fshati Mesdhetar ku akomodohet edhe ekipi ynë përfaqësues është pushtuar nga vallëzimet e “Free Dance Company”, i dirigjuar nga Kledi Kadiu. Balerini shqiptar i lindur dhe rritur në Tiranë vallëzoi me Veronika Luperini, balerinë dhe koreografe e këtij grupi të cilët u shoqëruan nga tetë balerinë të tjerë përgjatë gjithë mbrëmjes. “Të rrëmbyer” nga këta të fundit edhe atletët shqiptarë u mpleksën me grupin e vallëzimit duke lënë për disa çaste të mbrëmjes rolin e spektatorit. Në fund fotoja e rastit me të gjithë pjesëmarrësit që përbëjnë ekipin tonë përfaqësues në këto lojëra me Kledi Kadiun dhe grupin e tij.
Deklarata
Ndonëse Kledi është larguar nga Shqipëria 18 vjet më parë dhe sot është një nënshtetas italian, përsëri zemra e tij rreh për Shqipërinë ndaj nuk është aspak çudi kur ai shprehet se për kë bën tifo në Lojërat Mesdhetare. “Unë jam shqiptar dhe i tillë do të mbetem. Të gjithë këta atletë që vijnë nga vendi im nuk kanë nevojë për fjalët e mia. Fakti që ata janë këtu do të thotë se janë më të mirët. Dua vetëm të them se në jetën time kam bërë gjithçka kam mundur i dirigjuar nga pasioni dhe besoj se edhe këta atletë përderisa besoj se vlen e njëjta gjë”, ka pohuar Kledi Kadiu. Në mbrëmje ka qenë i ftuar edhe kryebashkiaku i Peskarës dhe disa nga organizatorët e Lojërave Mesdhetare “Peskara 2009”.