E Shtunë, 31 Tetor 2026

ǒjanë standardet?

Mentor Nazarko 

Imagjinoni këpucët e dikujt që spërkaten me baltën e një rruge fshati. Me njollat në këpucë, që ai nuk i ka parë, shkon dhe futet në sallën e një balloje që llamburit nga dritat, ku njerëz me fraqe po festojnë diçka. Ç’gjykim duhet të japim për këpucët e tij, ndërsa e shohim të ecë në rrugët e fshatit dhe ç’gjykim duhet të japim nëse e shohim në ballo?
Kjo fabul mu kujtua ndërsa akoma po debatohet nga palët politike dhe nga vëzhguesit mediatikë në lidhje me cilësinë e zgjedhjeve parlamentare, që u zhvilluan për herë të parë nga Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, apo me të ashtuquajturat standarde. Do mundohem të shpjegoj lidhjen midis fabulës dhe debatit për të ashtuquajtura standarde.
Debati i cili mund të orientohej nëpër gjethe dhe jo në trungun e çështjes për fat të mirë është i detyruar të strukturohet. Raporti apo raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë, i ofruan palëve të paktën një terren ku të përplasen. Sipas këtyre vëzhguesve të paanshëm dhe të respektuar, raporti flet qartë dhe në mënyrë të pangatërrueshme: standartet nuk u arritën. Standartet nuk janë të negociueshme. Do t’i shikoni pasojat në fund të procesit. Dy përfaqësuesit e lartë të ekipit më të madh të vëzhguesve ndërkombëtarë, dy anglezë, ishin veçanërisht të ashpër. Lista e konstatimeve të tyre ishin përbërë vetëm e vetëm kritika. Ato nuk u lehtësuan aspak nga konstatimet e zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, austriakut mik të qeverisë, zotit Grosruk. Le të përpiqemi të ndihmojmë ata që në mënyrë të dezinteresuar politikisht duan të kuptojnë vërtet a u respektuan standardet zgjedhore në Shqipëri, duke iu përgjigjur më së pari pyetjes: po ç’janë standardet? Standardet janë që të gjitha kërkesat e ligjit shqiptar për zgjedhjet, duke filluar që nga fushata zgjedhore, tek votimi, deri tek numërimi dhe administrimi i rezultatit. Janë që të gjitha kërkesat e dokumenteve ndërkombëtare ku Shqipëria është palë për zgjedhjet. Kjo është diçka teorike, por praktikisht standardet zgjedhore imponojnë të organizosh zgjedhje si kudo në Evropë, hiq pamundësitë infrastrukturore që kërkojnë shpenzime të larta. Standard zgjedhor, domethënë gjithashtu dhe të respektosh uniformisht në territor dhe në kohë kërkesat e ligjit apo ligjeve që merren me zgjedhjet. D.m.th., të respektohen njëlloj këto standarde nga Tirana në Vermosh.
E pra, Shqipëria në fazën që i paraprin numërimit dhe përpunimit të rezultatit, nuk i arriti standardet. U provuan pjesa më e madhe e pretendimeve të opozitës, ku më e rënda padyshim ishte presioni mbi punonjësit e administratës publike, mospajisja e të gjithë qytetarëve me karta, etj., etj.
Përpara kritikave të tilla të ashpra, qeveria mundohet më kot të gjejë fjalë të mira në raport. Vëzhguesit mediatikë në përpjekje për t’u dukur konstruktivë gabojnë gjithashtu, kur thonë se këto ishin zgjedhjet më të mira, organizuar ndonjëherë duke iu referuar qetësisë (që është vetëm njeri prej standardeve) me të cilin u zhvillua procesi i votimit. Një konstatim totalisht i gabuar, sepse kjo qetësi nuk lidhet me sjelljen e palëve politike apo të qeverisë, përgjegjësja kryesore për standardet e zgjedhjeve, por me pjekurinë politike të qytetarëve shqiptarë. Zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe më parë. Më kujtohet një reportazh i një vëzhguesi italian, njëri nga gazetarët më të mirë të vendit fqinj, që kishte parë zgjedhjet në Vorë në vitin 1997 i cili në një paragraf të artikullit të tij i referohej pikërisht pjekurisë së fshatarëve të Vorës. “Jam i impresionuar nga qetësia me të cilin ky burrë, i veshur me rrobat më të mira festive dhe bashkëfshatarët e tij shkojnë dhe votojnë”.
Mund të kishim më shumë probleme me standardet...
“SHBA, sponsori kryesor i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, do të ndihej shumë keq, nëse zgjedhjet në Shqipëri, do të zhvilloheshin me probleme”, shkruante para disa ditësh, Dan Bilevski i “New York Times”. Me siguri këto ishin fjali të shkëputura nga bashkëbisedimi me diplomatët e vendit të tij në Shqipëri. Realisht standardet zgjedhore mund të kishin qenë dhe më të këqija, nëse miqtë tanë ndërkombëtarë, në veçanti amerikanët nuk do kishin ndërhyrë për të bllokuar festimet e partisë së shumicës në mbrëmjen e djeshme në orën 19. Me pretekst rezultatet triumfante të exit poll-eve, nëpër sheshet kryesore të Shqipërisë, në minutat e para pas 19.30, PD tentoi të simulonte festime fitoreje. Por telefonatat e miqve amerikanë duket se bllokuan këto festime. Ishin pikërisht ato që detyruan zotin Berisha dhe zotin Rama që të dilnin dhe të vlerësonin procesin, dhe në veçanti të detyronin zotin Berisha të mos mbante premtimin dhënë mbështetësve të vet të vinin në Tiranë menjëherë pas mbylljes së votimeve. Festime të tilla do të nxisnin dhunën në komisione, të cilat do të ishin të detyruara të përputhnin rezultatet në kuti me ato të exit poll-eve.
Standardet mund të keqësoheshin dhe më shumë, nëse shumica e vëzhguesve ndërkombëtarë do të largoheshin menjëherë pas mbarimit të votimit. Por siç duket ata nuk do të largohen: sponsorët e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ku sigurisht bën pjesë dhe vendi ku ka lindur qoftë Audrey Glover, e urryera e zotit Berisha, qoftë Bruce George, nuk duan të lejojnë degjenerim të procesit zgjedhor në emër të pushtetit të dikujt.
Standardet megjithatë janë diçka që sigurisht varet dhe nga konteksti hapësinor, ashtu si dhe ai kohor. Po le të merremi me atë hapësinor. Fillimisht a mund të shikosh me të njëjtin sy, njollat e baltës mbi këpucët e dikujt që ka hyrë në një sallë balloje të shndritshme, me të dikujt që me të njëjtat njolla balte po ecën në një rrugë fshati? Jo, sigurisht. Ato të njeriut që ka hyrë në ballo, duken tmerrësisht të shëmtuara, ndërsa të atij që po ecën në një rrugë fshati, më se normale. 
Mund të ngushëllohemi me krahasimet në kohë. Njollat në këpucë para disa viteve ishin më të mëdha. Besoj se lidhja midis njollave dhe debatit për standardet tani duket më qartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›