Spanja, leksion futbolli kuqezinjve “të vegjël”
Vjen dështimi i radhës. Këtë herë edhe më i rëndë për faktin se kombëtarja shqiptare U-20 i ka thënë njëherazi lamtumirë Lojërave Mesdhetare “Peskara 2009”. Skuadra e drejtuar nga Artan Bushati nhuk arriti ti bënte ballë sulmeve të homologëve spanjoll të cilët fituan me rezultatin 3-0. Dy ditë më parë Shqipëria e futbollit kishte humbur edhe nga Tunizisë me rezultatin 2-1 ndaj është detyruar të mbyllë këtu aventurën e saj në këto lojëra. Bushati hodhi në fushën e lojës pak a shumë të njëjtët lojtarë si në ndeshjen e parë me përjashtim të Ditmar Bicajt i cili ishte i pezulluar për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e parë. Në vend të tij Bushati hodhi në fushë që nga minuta e parë Kaculin. Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka bërë gabimin e parë në mesfushën tonë çka i dha mundësi spanjollëve që të shënonin golin e parë që në minutën e 12-të të pjesës së parë me anë të Boita Rabasco. Goli i pësuar përshtjelloi lojën e skuadrës sonë e cila nuk arrinte që të organizohej. Shehaj dhe Lilaj shpesh herë nuk gjenin njëri-tjetrin dhe Hysa, sulmuesi i deklaruar i skuadrës sonë mbetej thuajse i izoluar. Pikërisht në këtë amulli erdhi edhe goli i dytë i spanjollëve këtë herë me anë të Niguez Esclapez. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat. Në të dytën Bushati u mundua të ndryshonte diçka në lojën e skuadrës s ë tij duke zëvendësuar Ardit Shehajn me Sykajn dhe Hithin me Alban Dashin, por gjithsesi loja sulmuese e skuadrës sonë mbeti shumë e vaktët. Vetëm 5 gjuajtje në drejtim të portës në harkun e 90 minutave përkundrejt 13 të ekipit të Spanjës. Në minutat e fundit (88’) iberikët sigluan edhe golin e tretë me anë të Martinez Garsia duke vulosur përfundimisht rezultatin.