E Diel, 1 Nëntor 2026

Kleo Lati sjell guidën “Diamante të gurtë”



Një libër krejt ndryshe për çdo turist apo kurioz të udhëtimeve turistike, i mistikes dhe simboleve që rezervon të fshehura “brendësia” e Katedrales së Notre Damit, Big Beni, Akropoli i Athinës, Pallati i Komunikacioneve në Madrid, por edhe i shumë veprave të tjera monumentale dhe historike të trashëgimisë botërore. Të gjitha këto të përmbledhura në librin “Diamante të gurtë”, nga autori Kleo Lati. Në të vërtetë, nga sa kuptohet edhe nga nëntitulli i këtij libri, 162 faqet e tij janë “Një rrugëtim nëpër qytetet e ëndrrave”, në Pragën si një nimfë magjepëse; në Venecien - qytetin e dashurisë dhe “arenës” më romantike të dashurive pasionante; në “qytetin e gurtë” të skulpturave të qënieve përrallore, iluzive dhe utopike të Katedrales së “Notre Damit", në Paris. Në parathënien e këtij libri, Dr. Moikom Zeqo, i bën një kumt formimit të këtyre qyteteve, ku përmendet ndër të tjera se: “...qytetet e mëdha, janë si personazhet e mëdha të letërsisë botërore. Por nëse personazhet janë shpesh të trilluar, qytetet e mëdha janë të vërtetë, të patrilluar”. Duke hyrë në detajet e këtij libri, Zeqo, në paralelizëm shkruan se dikur Italo Calvino kishte botuar një libër me titull intrigues “Qytetet e padukshme”, për disa të tillë të trilluar, që reflektonin imazhin e qyteteve të vërtetë të planetit, pasi të vërtetë, nuk mund t’i shmangësh. “Këtë ndjesi dhe ftillesë frymëzimi ka libri më i ri i shkrimtarit dhe gazetarit të njohur, Kleo Lati, i cili ka udhëtuar dhe i ka prekur me shqisa qytetet e mëdhenj dhe të gjallë”, shton Moikom Zeqo në parathënien e librit.

MONUMENTET

Instituti i Monumenteve restauron kishën “Shën Maria” në kalanë e Elbasanit

Kisha Ortodokse Autoqefale “Shën Maria”, në qendër të kalasë së qytetit të Elbasanit është rikostruktuar tërësisht me një fond prej 12 milion lekësh, akorduar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Kisha e stilit bizantin, ndërtimi i së cilës mendohet se daton në vitin 1656, është një nga vlerat etnokulturore e arkitekturore të rralla në rajonin e Elbasanit. Famulltari i kësaj kishe, At Nikolla Marku tha për ATSH-në se "përmes fondit prej 12 milionë lekësh u rikonstruktuan mjediset e brendshme dhe të jashtme të kishës, ndërsa pritet akordimi i një fondi tjetër për restaurimin e afreskeve dhe pikturave murale, të cilat gjatë periudhës së diktaturës u lyen me gëlqere". Burimet historike dëshmojnë se kisha ka filluar të funksionojë në vitin 1656 , ndërsa u dogj plotësisht në 11 nëntor të vitit 1819. Në periudhën 1826 -1833 filluan e përfunduan punimet për rindërtimin e saj. Kisha “Shën Maria” është një ndërtim arkitekturor i stilit të vonë bizantin, i ndërtuar me gurë të gdhendur nga mjeshtrit dibran. Ajo ka shërbyer jo vetëm si objekt kulti, por edhe si një vatër e atdhetarisë. Rreth kësaj kishe kanë ushtruar veprimtarinë për shkrimin e gjuhës shqipe dhe deklarimin e psalmeve në gjuhën shqipe që nga Dhaskal Todri, Teodor Haxhifilipi, Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, etj. Ndërtesa pranë Kishës shërbeu si shkolla e parë shqipe në Elbasan në vitin 1908.
Aktualisht kisha përfaqësohet nga famulltari At Nikolla Marku. Vendndodhja e saj është në zemër të kalasë dhe radhitet ndër kishat më të vjetra të vendit tonë.

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›