E Diel, 1 Nëntor 2026

ÇMIMET NOBEL, Juria e pavendosur për shkrimtarin më të mirë



Petrika GROSI
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, juria e specializuar për literaturën pranë komitetit të çmimeve “Nobel”, duket mjaft e pavendosur mbi emrin, të cilit i takon të jetë fitues për vitin 2009 në këtë fushë. Në fakt, çmimi i letërsisë duhej të anunçohej që në datën një tetor, por pavendosmëria e jurisë për të vendosur mbi fituesin bëri që kjo datë të shtyhet edhe një javë, deri më 8 tetor. Nuk dihet ende nëse çmimi do të rishtyhet por pretendenti kryesor për momentin është shkrimtari izraelit Amos Oz. Edhe vitin e kaluar, ky autor ishte favorit por çmimin e fitoi Jean Marie Gustave Le Clezio. Sa i takon këtij viti, favoriti i dytë ndër shkrimtarët kandidatë për “Nobel” është autorja algjeriane Fatima Zohra Imalayen, e cila njihet me nofkën artistike Assia Djebar. Çmimi “Nobel” është dhënë për herë të parë në vitin 1901 dhe në letërsi ai u fitua nga Sully Prudhomme. Vlefta që shoqëronte çmimin asokohe ishte 150 mijë korona suedeze, ndërkohë, që prej vitit 2001 dhe deri më sot, kjo vleftë arrin në 10 milionë korona suedeze ose 1, 45 milionë dollarë amerikanë. Shkrimtarit tonë Ismail Kadare i duhet të kënaqet me çmimin “Princi i Asturias”, i cili për nga rëndësia është i dyti në botë pas Nobelit. Në të njëjtën kohë, sipas komenteve të shumta, shkrimtari shqiptar do të jetë ndër pretendët për Nobel vitet e ardhshme. Sa i takon Nobelit, gara mes 205 kandidatëve të nominuar për këtë çmim ka nisur ditën e djeshme me dhënien e Nobelit në Filozofi dhe Mjekësi, që i shkoi shkencëtarit Riksbank Sveriges. Komisionet e çmimit Nobel në Fizikë, Kimi, Filozofi e Mjekësi dhe Letërsi çdo vit marrin emrat e 250-300 personaliteteve me kontribut dhe ndikim global në këto fusha. Sipas përfaqësuesve të Akademisë Suedeze të Nobelit, sivjet është shënuar dhe numri më i madh i parë ndonjëherë, i kandidatëve për Çmimin Nobel. Rekordi i fundit i numrit të kandidatëve është shënuar para katër vitesh (2005), kur plot 199 emra garonin për çmimin më prestigjoz në botë. Sot pritet të shpallet në Stokholm “Nobeli” në Fizikë, kurse nesër do të shpallet “Nobeli” i Kimisë.
Fituesit më të fundit të Nobelit të Letrave kanë qenë Jean-Marie Gustave Le Clézio (2008), Doris Lessing (2007), Orhan Pamuk (2006), Harold Pinter (2005), Elfriede Jelinek (2004), J. M. Coetzee (2003), Imre Kertész (2002), V. S. Naipaul (2001), Gao Xingjian (2000), Günter Grass (1999), José Saramago (1998), Dario Fo (1997) etj.

Kinema

“Tetori gjerman” projekton filma në Akademinë “Marubi”

Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi ka nisur dje projeksionet e filmave të “Tetorit gjerman”. Shfaqja e filmave të këtij cikli do të zgjasë deri më 9 tetor. Me serinë e filmave dhe diskutimeve “Ndryshimet e epokave - Transformimet e sistemit” fondacioni Friedrich-Ebert do të prekë këto debate dhe kontradikta, pikërisht me anë të pesë filmave gjermanë, të cilët trajtojnë temën e RDGJ-së dhe transformimit të saj pas vitit 1990. Në vijim të shfaqjes së filmave do të ketë mundësi për të diskutuar. Si ishte jeta në diktaturë? Çfarë ndikimi kishte sistemi në jetën e individit dhe familjes? Si janë pikpamjet e sotme mbi kohën e komunizmit? Në diskutime do të flitet gjithashtu, mbi paralelet dhe ndryshimet ndërmjet dy vendeve në transformim si Shqipëria dhe Gjermania.

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›