Ndalohet trafikanti i klandestinëve, mori nga 800-1000 euro për t’i çuar në Greqi
Korçë – Forcat e policisë së Korçës kanë ndaluar 21-vjeçarin Emiljano Capo, lindur dhe banues në fshatin Gështenjas të Pogradecit, pasi ai dyshohet për ushtrimin e veprës penale të trafikimit të paligjshëm të personave. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ky person dyshohet se ka ndihmuar për të kaluar kufirin për në Greqi disa persona, të cilët do të paguanin 800-1000 euro për person. Ndërkaq, policia po punon për të gjetur lidhje të tjera të këtij personi, ndërsa materialet hetimore do t’i referohen prokurorisë së Korçës për veprën penale “ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal.
Aksident fatal, drejtuesi i benzit godet motoçikletën, vdes i ati, rëndë i biri
Elbasan - Një aksident i rëndë rrugor, me pasojë vdekjen e një personi, ka ndodhur paraditen e sotme në Unazën e qytetit të Elbasanit, te karburant “RIRA". Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, drejtuesi i mjetit tip “Benz”, me targa 511 KS 092, Zaden Maloku, ka goditur për vdekje Musa Biçokun, 45 vjeç, i cili po udhëtonte mbi një motoçikletë me të birin e tij, 18-vjeçarin Ajdin Biçoku, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit nga goditja që pësoi. Maloku, 51 vjeç, banues në Gjilan të Kosovës, është shoqëruar në komisariatin e policisë, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.
8 Qershor 2009