Shpenzimet elektorale, qeveria fushatë edhe me paratë e studentëve
Ministria e Financave u merr fakulteteve edhe fondet e pagesave të studentëve. Paratë janë rialokuar në buxhet dhe i janë dhënë ministrave për fushatë
Ervin KOÇI
Qeverisë nuk po i dalin më paratë për të realizuar fushatën super të kushtueshme të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke u marrë çdo dikasteri fondet e mbledhura nga shërbimet e ndryshme. Këtë fat kanë pasur ditët e fundit edhe fakultetet, ku pagesat e studentëve për tarifat e ndryshme janë gllabëruar nga Ministria e Financave e cila me një urdhër të posaçëm i ka rialokuar ato për t’i kaluar në buxhet me qëllim që të përdoren për vijimin e shpenzimeve të fushatës. Për pasojë fondet e deritanishme që janë krijuar nga tarifat që paguajnë studentët, fakultetet nuk mund t'i trashëgojnë nga një vit në tjetrin. Urdhëri i ri i ministrisë së Financave, ua merr këto para universiteteve dhe i dërgon direkt e në arkën e buxhetit të shtetit, duke bërë që të ngelin në mes një pjesë e madhe e projekteve që shkollat e larta kishin nisur me paratë e studentëve. Sipas drejtuesve të fakulteteve ky veprim është shkelje e autonomisë së universiteteve dhe ligjit të arsimit të lartë, ndërsa hedhin dyshimet se janë me miliona euro që u hiqen shkollave të larta duke u përdorur për fushatë. Ndërkohë një veprim tjetër qeveria ka bërë tani në prag të fushatës edhe me përqendrimin e të gjitha tenderëve për pushtetin vendor në dorë të Ministrisë së Brendshme.
Urdhri i ri
I pari që ka kundërshtuar vendimin e fundit të ministrisë së Financave ka qenë dekani i fakultetit të Histori-Filologjisë Shezai Rrokaj. Ai deklaron se po cënohet rëndë autonomia financiare e universiteteve. Rrokaj e mbështet pretendimin e tij në faktin se urdhri i fundit i ministrisë së Financave pengon universitetet të trashëgojnë fondet nga viti paraardhës. Sipas tij, me këtë urdhër shkelet ligji i arsimit të lartë, ndërkohë që janë miliona lekë, që nuk dinë se ku përfundojnë. "Ligji i arsimit të lartë përcaktonte shumë qartë në nenin 72 se të ardhurat që vijnë nga tarifat e studentëve trashëgohen në vitin pasardhës. Kjo detyronte qeverinë që të bënte pasqyrimin e duhur në ligjin e buxhetit. Këtë nuk e ka bërë. Kjo do të thotë që paratë që kanë paguar studentët për kërkim shkencor, për investime, dhe që janë miliona euro, gëlltiten menjëherë nga buxheti i shtetit, thjesht nëpërmjet një shkrese të ardhur nga ministri i Financave që thotë se universitetet nuk mund të trashëgojnë këtë pjesë të parave nga viti paraardhës" - ka shpjeguar dekani i Filologjikut, Rrokaj. Ai ka sqaruar më tej se si pasojë e mos trashëgimit të këtyre fondeve, rrezikojnë të digjen mjaft projekte që kanë universitetet për kërkime shkencore, etj, në dobi të studentëve që ndjekin arsimin e lartë në auditorët publike dhe kanë paguar tarifat për këtë gjë.
Thellimi i shpenzimeve
Ndërsa nuk ka arritur të mbledhë të ardhurat sipas planit, qeveria nuk është kursyer në shpenzime, të cilat në total janë realizuar rreth 102 për qind. Niveli më i lartë i realizimit të shpenzimeve i takon atyre kapitale, me 137 për qind të planit. E gjithë kjo sjellje ka bërë që deficiti buxhetor të rritet me 80 për qind më shumë se parashikimi fillestar për 4 mujorin, duke arritur në 14 miliard lekë, ose gati 30 për qind e deficitit të parashikuar në fillim të vitit. Ndërkohë 57 për qind e këtij deficiti do të financohet nga burime të brendshme dhe pjesa tjetër me burime të jashtme, ku financimi me burime të jashtme, pothuajse është pesëfishuar në krahasim me planin fillestar.
Mosmbledhja e taksave
Rreth 4 miliard lekë i mungojnë buxhetit të qeverisë shqiptare gjatë muajve të parë të këtij viti, si rrjedhojë e mosrealizimit të të ardhurave. Tatimet shpresonin që muaji prill do të ishte më pozitiv dhe do të ulte disi, apo do të mbante në të njëjtin nivel deficitin e krijuar në tre muajt e parë të vitit prej 3 miliard lekë, por ritmi i mosrealizimit të të ardhurave ka mbetur i njëjtë, me mesatarisht rreth 1 miliard lekë në muaj. Nëse do të vazhdohet me këto ritme si në 4 muajt e parë të vitit, atëherë buxhetit të vitit do t’i mungojnë rreth 12 miliard lekë, apo rreth 4për qind të të ardhurave totale të planifikuara në fillim të vitit. TVSH-ja, taksa që vlerëson indirekt ecurinë e shitjeve në ekonomi, ka pasur mosrealizimin më të madh me 93 për qind të planit. E njëjta situatë është dhe për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat nga akciza. Madje të ardhurat nga akciza kanë realizimin më të ulët me vetëm 76 për qind të planit. I vetmi zë me realizim mbeten të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, që lidhen kryesisht me vendosjen e taksës së sheshtë prej 10 për qind, e cila u mblidhet më kollaj të punësuarve në sektorin shtetëror (që deklarojnë pagat e sakta). Edhe tatimi mbi fitimin ka shënuar ulje prej 26 për qind në krahasim me 4 muajt e parë të vitit 2008, në një kohë që tarifa e tatim fitimit ka qenë e njëjtë prej 10 për qind. Me mosrealizim paraqiten dhe të ardhurat nga pushteti lokal, kryesisht nga taksa mbi pasurinë dhe taksa lokale, ndërsa tatimi mbi biznesin e vogël ka pasur një ecuri më të mirë se parashikimi, rrjedhojë kjo e rritjes së disa tarifave nga bashkitë gjatë muajve të parë të këtij viti.
Financimet e fakulteteve, qeveria shkel vendimet e veta
Duke filluar që nga 1 janari i vitit 2009 ka ndryshuar edhe formula e financimit të shkollave të larta publike. Universitetet, në bazë të një vendimi nga Këshilli i Ministrave, do t'i përdorin të ardhurat e tyre në bazë të një formule të re financimi, formulë matematikore, e cila do të ndihmojë më shumë ato universitete që do të konkurrojnë nëpërmjet projekteve. E thënë më qartë, qeveria do të ndajë buxhetin e universiteteve pa e detajuar se sa i shkon secilit prej tyre. Të gjithë universitetet paraqesin projektet e tyre dhe paratë do t'i shkojnë atij që ka projektin më të mirë dhe më bindës. Formulë kjo që drejtuesit e universiteteve publike nuk kanë ngurruar ta quajnë vetëm një premtim bosh dhe që të paktën deri më tani nuk ka funksionuar.
8 Qershor 2009