E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhin kabllin elektrik të Ujësjellësit, Fieri mbetet pa ujë

FIER- Më shumë se 1.2 km përcjellës elektrik i llojit bakër, është vjedhur gjatë natës së mbrëmshme në linjën që furnizon me energji elektrike puset e ujit, puse të cilët ndodhen në fushën e vendburimit Kafaraj, komuna Frakull e rrethit Fier. Të ndihmuar edhe nga kushtet atmosferike, shirat e rënë gjatë natës, por edhe errësira si dhe fakti që linja është e shtrirë përgjatë gjithë zonës fushore të kësaj komune, keqbërësit kanë arritur që me qetësi dhe shpejtësi njëkohësisht të arrijnë të stakojnë energjinë elektrike në këtë linjë transmetimi dhe më pas të vjedhin sasinë e kabllit, me mjaft vlerë ekonomike, po të kihet parasysh fakti se kjo linjë ka qenë me tre përcjellës, tela paralel. Në këto kushte sasia në gjatësi e rrjetit të dëmtuar dhe vjedhur shkon në 6.6 km. Të parët që e kanë diktuar vjedhjen kanë qenë punonjësit pranë stacionit të pompimit të ujit në Kafaraj. Njëri prej puseve të ujit në fushë është stakuar dhe prej tij nuk dërgohej ujë i pijshëm në këtë stacion pompimi, stacion i cili shërben për të furnizuar me ujë më shumë se 200 mijë banorë të qytetit dhe të zonave periferike të Fierit. Ata kanë njoftuar drejtorinë e Sh.a Ujësjellësit dhe kjo e fundit policinë e rendit.

Drejtori i ujësjellës kanalizimeve Fier, Ervin Muskaj, pohoi se është dëmtuar nga vjedhja njëri prej puseve të ujit dhe njëkohësisht ka pasur anomali sporadike, sipas tij, nga kjo vjedhje e përcjellësit elektrik. “Duket se keqbërësit kanë qenë profesionistë, sepse kanë arritur të rrëmbejnë brenda një kohe të shkurtër një sasi kaq të madhe kablli prej bakri” tha ai. Muskaj pohoi se kjo është hera e parë që goditet ndërmarrja e tij nga keqbërësit, ndërsa ka shtuar se po pret nga policia zbulimin e autorëve. Në vendngjarje kanë mbërritur grupi i ekspertëve ligjorë dhe forca të policisë së rendit komisariati Fier. Këta të fundit kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe kanë grumbulluar edhe të dhënat e para, gjurmë të lëna nga keqbërësit. Policia nga ana e saj nuk ka dhënë ende njoftim për këtë ngjarje. Por burime pranë saj janë shprehur se janë shoqëruar dhjetëra persona në mjediset e komisariatit. Kjo nuk është vjedhja e parë që ndodh në linjat e përcjelljes së energjisë prej bakri në rrethin Fier. Para disa ditësh janë vjedhur në fshatin Boçovë, komuna Levan rreth 4 km kabllo i tillë, ndërsa para disa muajsh ishte Sh.a Ujësjellës Patos që u dëmtua me rreth 1.5 km përcjellës të vjedhur në zonën e Cakranit. Për dy ditë banorët e qytetit naftëtar. por edhe zonave periferike të tij. pësuan probleme me furnizimin ritmik me ujë të pijshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›