“Klik Ekspo Group 2010”, panairi i parë si anëtar i U.F.I.-t
TIRANË- Panairi i këtij viti për shoqërinë “Klik Ekpo Group” është i pari si anëtar zyrtar i Unionit Botëror të Panaireve (U.F.I.). Ky organizëm mbledh rreth emblemës së vet mbi 80 shtete nga 6 kontinente. Shteti më i ri që iu bashkëngjit unionit është pikërisht Shqipëria, një meritë ekskluzive e “Klik Ekspo Group”, e punës dhe përkushtimit të drejtuesve të kësaj shoqërie. Në maj të këtij viti, Asambleja e U.F.I.-it vendosi anëtarësimin e “Klik Ekspo Group” si anëtar me të drejta të plota. Ky vendim iu prezantua anëtarëve më 12 nëntor 2010 në Singapor në Kongresin e 74-të të U.F.I.-it
Unioni Botëror i Panaireve, në vazhdën e asistencës 2-vjeçare për përafrimin me standardet e këtij organizmi, këtë vit ka atashuar ekspertët e tij pranë Panairit.
Anëtarësimi
Një prej tyre, Andrea Margini, nga Instituti i Certifikimit Statistikor të Panaireve në Itali në ditën e tretë të zhvillimit të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga Shoqëria Klik Ekspo Group tha: Certifikimi i një Panairi lidhet me numrin dhe tipologjinë e ekspozuesve dhe vizitorëve dhe i siguron pjesëmarrësit potencialë se shifrat e dhëna nga organizuesit janë reale dhe në funksion të promovimit të bizneseve që ekspozojnë. Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit puna e bërë nga “Klik Ekspo Group” është për t’u admiruar.
Megjithatë, duhet të them se logjistika e organizimit, ndërtesa e papërshtatshme, penalizon mundësitë e këtij aktiviteti për t’u fuqizuar, ashtu siç duhet, në shërbim të qëllimit primar, rritjes së investimeve në vend. E di se nuk është e thjeshtë të krijosh strukturën për të ngritur një panair të niveleve aq të mëdha sa ky i organizuar nga “Klik Ekspo Group”, pasi ka shumë aktorë dhe aspekte institucionale që duhen koordinuar dhe në pamundësi, organizimi privat vuan këto kufizime.
Në eksperiencën time, idetë nuk zënë rrënjë nëse nuk ka një strukturë ose mekanizëm të zhvilluar për t’i implementuar ato. Fakti është që ndërtesa e Pallatit të Kongreseve është një mjedis i adaptuar për Panaire të madhësisë së tillë dhe nuk lejon zotërimin e plotë të hapësirave në dobi të ekspozuesit”.
Unë mendoj se një panairi si ky i Tiranës, mund t’i shërbejë një hapësirë specifike për të plotësuar kushtet që Panairi të ruajë aspektin e tij praktik. I rëndësishëm është krijimi i një ambienti dhe klime për të çliruar kreativitetin që normalisht në çdo panair filtrohet përmes procesit të reklamimit. Është i pamohueshëm konteksti politik i një panairi si ky, pasi ky është vendi dhe hapësira për politikën të ekspozojë gjithashtu produktin e vet.
Zgjerimi i aktiviteteve tregtare i siguron politikës vazhdimësi dhe rritje, ashtu siç i siguron volum për ekonominë në përgjithësi. Nga ana tjetër, ndërhyrja e publikut në çfarë dëshiron eventi është një akt politik dhe gjithëpërfshirës.
Në kohën kur panairet ishin risi, në Evropë ato shndërroheshin në hapësira të vërteta për mësim nxënie dhe zgjerim njohurish. Sot, një panair jep e merr me qytetin ashtu si pjesë përbërëse të trupit social e urban të një konturi qytetar. Panairet nuk mbledhin vetëm investitorin, por edhe qytetarin nga periferitë që kërkon të argëtohet edhe të njihet me risi teknologjike”.
Historia e U.F.I-it
U. F. I. është themeluar në Milano të Italisë me datë 15 prill 1925 nga 20 vendet lider në panairet tregtare. Anëtarët e parë ishin Bordoja, Brukseli, Budapesti, Këlni, Danzing, Frankfurti, Lajpcig, Lubjana, Lvov, Lioni, Milano, Novgorod, Padova, Parisi, Praga, Reichenberg, Utrecht, Valencia, Viena dhe Zagrebi.
U.F.I. u themelua si një organizatë ndërkombëtare jo-politike, duke u bazuar në ligjin francez të 1 korrikut 1901. Fillimisht, U.F.I. u krijua dhe mbajti emrin “Union des Foires Internationales”, ose në ndryshe në gjuhën angleze “Union of the International Fairs”.
Emri u ndryshua duke i bashkangjitur “Global Association of the Exhibition Industry”. Ky emër u vendos në takimin mbarëkombëtar të mbajtur në tetor të 2003-it në Egjipt.
Misioni i U.F.I.-t është që t`i shërbejë industrisë së panaireve në gjithë botën. Të promovojë vlerat e veçanta dhe unike të panaireve tregtare si dhe të edukojë e nxisë industrinë e panaireve dhe ekspozimit. Gjithashtu, një tjetër qëllim kryesor i U.F.I.-t është të forcojë lidhjet dhe rrjetet ndërkombëtare të mundësive për biznes. Kjo arrihet duke nxitur bizneset që të rrisin aktivitetin e tyre kudo në botë.
U.F.I. aktualisht ka mbi 80 shtete anëtare, në të gjashtë kontinentet. Në vitin 2009, U.F.I. regjistroi 538 anëtare me të drejta të plota. Këtu përfshihen 276 kompani të Organizimit të Panaireve, ndërsa pjesa tjetër janë kompani menaxhimi.
Prej vitesh, vendet e Europës kanë qenë lider në organizimin e Panaireve Tregtare Ndërkombëtare. Gjatë dy viteve të fundit, U.F.I. raporton se janë vendet e Azisë që po njohin organizim dhe zhvillim të shkëlqyer të panaireve ndërkombëtare. Zhvillimi i këtyre vendeve, ekonomia gjithnjë e në rritje si dhe zgjerimi i bizneseve ka sjellë zhvendosjen e panaireve mirë të organizuara në kontinentin e Azisë.
Në morinë e gjithë këtyre zhvillimeve ekonomike, financiare dhe të biznesit, anëtarësimi i Shqipërisë, nëpërmjet “Klik Ekspo Group” në Unionin Botëror të Panaireve përbën një eveniment për vendin tonë.
29 Nentor 2010