Klima globale, na pret një vit më i vështirë
Pas një viti plot me fenomene klimatike ekstreme, funksionarët federalë dhe ambientalistët amerikanë po e përqendrojnë vëmendjen në ngrohjen globale.
Shumica e shkencëtarëve mendojnë se efekti serë do të provokojë edhe gjatë vitit 2012 përsëritjen e të nxehtit përvëlues të vitit që po lëmë pas. Gjithashtu, pritet rritje e sasisë së reshjeve në disa rajone, thatësirës në disa të tjera, stuhi të forta e përmbytje.
Sipas gazetës Huffington Post, e cila citon George Luber, kreu i monitorimit të ndryshimeve klimatike në SHBA, ngrohja globale po vë në rrezik serioz shëndetin publik.
Luber ka prezantuar një aplikacion online, i cili krijon një hartë të fenomeneve ekstreme klimatike, duke lejuar tw studiohet në mënyrë specifike gjeografia e rrezikut.
Ndërsa sipas Mario Giuliacci-t, një tjetër studiues i fushës, deri në vitin 2010, Dielli gjendej në fazën dembele, çka bënte që të derdhej mbi planetin tonë më pak energji, duke bërë që gjatë kësaj faze vitet të mos ishin shumë të nxehta. Por fillimi i vitit 2011 ka shënuar edhe fillimin e rritjes së aktivitetit diellor, i cili pritet të arrijë kulmin në vitin 2013.
Por ky nuk është i vetmi element që do të ndikojë në klimën e vitit të ardhshëm. Sipas studiuesve ne gjendemi në fazën e fenomenit Nina, i cili do të sjellë ftohje të ujërave të Paqësorit ekuatorial. Kjo do të bëjë që temperaturat në nivel global të mos rriten shumë, sidomos gjatë muajve të parë të 2011-s.
Por Nina do të ndalë aktivitetin në pranverën e vitit 2012, duke u ndjekur nga faza Nino, e cila do të karakterizohet nga një mbingrohja e ujërave të Paqësorit ekuatorial. Duke qenë se këto ujëra përbëjnë një të shtatën e sipërfaqes së planetit, nxehtësia do të reflektohet në të tërë globin.
Shtimi i aktivitetit diellor dhe rikthimi i fenomenit Nino do ta bëjnë 2012-n të mbahet mend si një nga 10 vitet më të nxehta të shekullit të fundit.
Por temperaturat e larta do të sjellin fenomenet shoqëruese si ciklonet tropikale, tornadot e stuhitë e fuqishme.
Kjo do të sjellë edhe prishjen e qarkullimit normal atmosferik, d.m.th. mënyrën e lëvizjes së erërave në shkallë planetare. Si pasojë, disa zona të globit do të ndeshen me përmbytjet e të tjera do të vuajnë nga thatësira.
Përgatiti: G. Ndoja