E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i tokës mban peng shkollën e re në Ndroq

Problemet e pronësisë lënë 250 fëmijë që banojnë pranë Urës së Beshirit në Ndroq, të ecin kilometra të tërë për të shkuar në shkollë. Janë 250 fëmijë të shkollës 9-vjeçare "Seit Brahaj", që nuk kanë bërë asnjë ditë mësim që nga fillimi i këtij viti shkollor, në shkollën e tyre të re, por ecin më shumë se një orë në këmbë për të shkuar në shkollën e fshatit ngjitur. Kjo, pasi komuna nuk i ka zgjidhur problemet e pronësisë me pronarin e tokës, ku është ndërtuar shkolla e re. Shkolla më e afërt për këta nxënës ndodhet pesë kilometra larg dhe fëmijët, edhe ata të klasës së parë duhet të ecin të paktën një orë në këmbë për të kryer mësimin.

Shkolla e re ka përfunduar, por pronari i tokës, mbi të cilën është ndërtuar shkolla 9-vjeçare, nuk lë askënd që të hapë dyert e saj. Kjo gjendje ka tetë muaj që nuk merr zgjidhje. Askush nuk merr përgjegjësinë. Ndërkohë që shkolla është e re, e pajisur me mjetet mësimore, por brenda nuk hyn dot asnjë nxënës.

Prindërit e fëmijëve kanë tetë muaj që kërkojnë me insistim që shkolla e re të fillojë të funksionojë, pasi nuk kanë pse t‘i çojnë fëmijët pesë kilometra larg për të mësuar, kur shkollën e kanë në derë të shtëpisë.

Tetë muaj më parë, Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës na siguroi se shkolla "Seit Brahaj" ishte gati që të hapte dyert për nxënësit e zonës së Urës së Beshirit, menjëherë sapo të zgjidhej problemi i shpronësimit të pronarëve.

Që prej tetë muajsh, përgjegjësinë për moshapjen e shkollës Komuna e Ndroqit dhe Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës ia hedhin njëra-tjetrës.

Shefi i financës, në Komunën e Ndroqit, Afrim Mazuni, hedh poshtë pretendimet se moshapja e shkollës ka lidhje me shpronësimin e pronarit, por me vonesat për ardhjen e bazës materiale në shkollën e re. "Nga ana jonë kanë përfunduar të gjitha procedurat e tenderimit dhe të dorëzimit në drejtorinë arsimore. Pritet mbyllja e semestrit mësimor në shkollën ekzistuese të fëmijëve. Me periudhën e pushimit që do të ketë, do të bëhet transferimi në shkollën e re", deklaroi ai dje për "Fiks Fare".

Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale së Tiranës, Ylli Xhaferri, deklaron se shkolla është e kompletuar me bazën materiale didaktike, orenditë mësimore dhe pret në mënyrë të natyrshme nxënësit.

"Ajo është një godinë e bukur, por që realisht ka një ngërç me shmangien e detyrimeve ekonomike ndaj pronarit të tokës, i cili është kontraktuar nga komuna dhe nuk është shlyer për shumën e lekëve që i takon. Unë do t‘iu thosha që përveç tavolinave, karrigeve aty është vendosur një bibliotekë dhe sallë kompjuterike. Ne presim nga dita në ditë që aty të lidhet edhe interneti dhe këto pengesa po na vijnë ngaqë objekti nuk hapet", përfundon drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës.

Nga ana tjetër, 250 nxënësit e zonës së Urës së Beshirit, që e nisën dhe po e mbarojnë këtë vit shkollor me protesta dhe duke ecur kilometra të tërë në këmbë për të bërë mësim, presin vitin e ri shkollor, me shpresën se pronari i tokës do të marrë paratë e tij nga komuna dhe do të hapë shkollën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›