E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku takohen islamizmi dhe kristianizmi

Titulli i këtij shkrimi është huazuar nga një thënie e Lordit G.Robertson (ish-ministër i Jashtëm i Britanisë), pas vizitës që bëri në Kosovë në vitin 2000, ku u shpreh për luftë në Kosovë në interes të komunitetit ndërkombëtar, për Kosovën si vend i vogël në një pikë jashtëzakonisht strategjike midis Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, e përfundon me fjalët: "Ku takohen Islami dhe Krishtërimi".

Vlerësimi i Robertson për Kosovën po vihet në evidencë e po përdoret politikisht dhe aktualisht, kur ne, prej më se një viti, jemi shtet i pavarur e sovran. Myslimanizmi i Kosovës po përdoret nga Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe për të atakuar e për të zhbërë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Nën këtë synim, shteti laik i Serbisë shfaqet në bashkëpunim të dukshëm me Kishën Ortodokse të Serbisë. "Kujdestarët" e shpirtit, mbrojtës të qenies shpirtërore serbe, veçojnë shqetësimin për identitetin dhe integritetin territorial të shtetit serb, i cili, sipas Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe, kërcënohet me ndarjen me dhunë nga Serbia. Është e drejta e këtij Sinodi të deklarohet, por mendoj se është edhe e drejta ime të shtroj pyetjen: Ju, jeni ‘kujdestarë‘ dhe mbrojtës të shpirtrave të besimtarëve serbë, apo të shtetit serb?!".

Nga kisha dhe shteti serb vazhdon të insistohet në identifikimin e politikës me besimin fetar, edhe pas luftës në Bosnjës, ku lufta e Serbisë ndaj saj nuk filloi për përkatësi etnike, por për atë fetare. Dihet masakra e korrikut 1995 në Sebrenicë, ku u masakruan nga forcat serbe mbi 8 mijë të rinj e burra boshnjakë, por ka qenë deri tashmë "në hije" shkrumbosja e rreth 1 mijë objekteve fetare myslimane prej tyre në të gjithë Bosnjën. Duhej të kalonin gati 14 vjet nga kjo masakër humanitare e fetare, që Gjykata e Banja Lukës, kryeqytetit të të ashtuquajturës Republikë "Serbska", ta detyrojnë këtë gjoja shtet t‘i paguajë komunitetit islamik të Banja Lukës 42 milionë dollarë për shkatërrimin e xhamive të këtij qyteti, gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe shkatërruan mbi 230 xhami dhe objekte fetare myslimane. Te ne, në Kosovë, forcat ushtarake dhe policore serbe, të ushqyer, të edukuar a dhe të "mbarsur" me urrejtje ndaj shqiptarëve, e shfrynë atë, jo vetëm me masakra barbare mbi njerëzit, por edhe ndaj objekteve të kultit të besimit tonë. Dëshiroj të vë në dukje se:

- Lufta e Serbisë në Bosnjë nuk ishte etnike, por fetare. E iniciuar dhe e realizuar politikisht, lufta e Serbisë ndaj Bosnjës mbivuri besimin fetar mbi etninë. Ajo nuk është frymëzuar e nxitur nga nacionalizmi, por nga besimi fetar, nga ortodoksia serbe. Në Kosovë ndodhi e kundërta; Serbia u ndesh me etninë shqiptare dhe jo me besimin e tyre fetar. Nuk ishte dhe nuk është Kosova, në asnjë cep të saj, që ballafaqonte dhe ballafaqon në konkurrencë e konfrontim qytetarët e vet të besimeve të ndryshme.

- Ofensiva e përgjakshme serbe ndaj Kosovës, që detyroi komunitetin ndërkombëtar të ndërhynte përmes forcave të NATO-s, u iniciua nga motive humanitare dhe frenoi një tragjedi humanitare të shkaktuar nga Serbia ndaj një populli në qendër të Evropës. Iniciuesit e kësaj lufte, nën logjikën e drejtësisë ndërkombëtare, janë në gjykim ose në pritje të këtij gjykimi në Gjykatën e Hagës. Milosheviçi vdiq, Karaxhiçi është në proces, por pritet Mlladiç! Lufta e Serbisë në Kosovë ishte, ndryshe nga ajo në Bosnjë, e karakterit etnik. Në Kosovë serbët u ndeshën me shqiptarët, siç mund të ndeshen aktualisht ose edhe ca më pas me hungarezët e Vojvodinës.

- Feja ndër shqiptarët nuk është identifikuar kurrë me etninë. Ne jemi shqiptarë para se të jemi besimtarë myslimanë, katolikë, ortodoksë apo bektashinj. Qeveria jonë ka ofruar donacione për rikuperimin e objekteve të kultit të ortodoksisë serbe, por ende duke pritur një reflektim realist të shtetarëve të lartë serbë, nuk po reagon për masakrën e forcave serbe ndaj objekteve tona të kultit.

- Kosova, po të mbajmë parasysh historinë, që ruajti gjatë sundimit otoman "kultin" e Gazimestanit, Manastirin e Pejës dhe të Deçanit, kurrsesi nuk është përballje fetare me Serbinë. Kjo u përball fetarisht në Bosnjë, brenda llojit të vet, me sllavët, por me Kosovën faktori fetar u përdor si ndihmës për të ruajtur sundimin dhe përkrahjen e Evropës kristiane.

Politika shtetërore përdor gjithçka në interes të realizimit të objektivave të veta. Politika beogradase po insiston në përdorimin e autoritetit të Kishës Ortodokse për të penalizuar ndërkombëtarisht shtetin e Kosovës. Por, për një shtet të konfirmuar laik, si Serbia, përdorimi i besimit fetar në funksion të qëllimeve politike jo vetëm është i tejkaluar, anakronik dhe i dëmshëm për demokracinë dhe bashkëjetesën e shteteve fqinjë, por edhe për ecurinë e Serbisë në proceset aktuale evropiane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›