E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbulimi i fytyrës, apo mbulimi i problemit?

Prej kohësh, shoqëria shqiptare po përballet me (apo i fshihet?!) debatit për veshjet me karakter fetar në institucionet arsimore, ku për të disatën herë me radhë, vajza të besimit mysliman nuk janë lejuar të mbajnë shallin karakteristik (të quajtur hijab) dhe rrjedhimisht nuk u është lejuar të vazhdojnë studimet. Institucionet arsimore kanë qenë shumë strikte në moscenimin e karakterit rreptësisht laik të shkollës (që bashkëshkon me laicitetin e shtetit shqiptar, neni 10, pika 1 e Kushtetutës), ndërkaq komuniteti mysliman disa herë i është referuar po Kushtetutës (më saktë nenit 18, pika 2), duke e konsideruar ndalimin e mbajtjes së veshjeve islame në shkolla si një diskriminim në bazë feje.

Gjykatat e vendit, në cilindo nivel, kanë preferuar të mos deliberojnë qartësisht mbi këtë debat dhe verdikti përfundimtar u është lënë në dorë institucioneve respektive edukimore dhe rregulloreve të brendshme që ato aplikojnë, ndërsa politika i ka qëndruar larg debatit, ndoshta duke iu frikësuar pasojave elektorale pas një pozicionimi të vendosur mbi çështjen.

Problemi, gjithsesi, nuk është zgjidhur dhe tensioni, ndonëse jo i prekshëm publikisht, është ekzistent dhe evident. Për një shtet, i cili të paktën statistikisht përbëhet 70% nga myslimanë, mostrajtimi serioz e deri diku frikanak i këtij tensioni, tregon një kompleks shoqëror, politik dhe ligjor ndaj historisë së vendit dhe lidhjes mes shqiptarëve e islamit. Siç përcaktohet nga Kushtetuta (neni 24), liria e fesë dhe shprehjes së saj është e garantuar dhe e mbrojtur me ligj.

Nëse luajmë rolin e avokatit të djallit, le të pyesim se përse është normale dhe e lejueshme që studentët në shkolla të mbajnë kryqe kristiane në qafë, apo bluza e xhaketa, ose pse lejohen studentët meshkuj të mbajnë mjekër e pantallona mbi kyçin e këmbës, të dyja shprehje të hapura të përkatësisë së tyre fetare, por shamia kokëmbuluese tejkalon caqet e laicizmit të institucionit? Deri në ç‘nivel është cenuese për laicizmin e shkollave veshja e vajzave myslimane dhe sa e pranueshme është në anën tjetër lejimi pa teklif i minifundeve, dekolteve të ekzagjeruara, makiazhit, bizhuterive (lista mund të zgjatet pa fund)!? Të tilla përsiatje mund të jenë të pafundme dhe akademikë, analistë e përfaqësues të komuniteteve fetare janë përpjekur t‘i japin interpretime e ngjyrime të larmishme, por zgjidhja akoma nuk ka ardhur.

Nuk duhet të harrojmë që Shqipëria nuk qëndron e vetme në këtë debat; qysh prej vitit 2004, Franca ka ndaluar veshjen e hijab-it, apo simboleve të tjera të dukshme fetare në institucionet edukimore; Gjermania, Belgjika e shumë vende të tjera të BE-së kanë ndaluar studentet dhe mësueset që të mbajnë shallin islamik (por edhe kapelen tradicionale çifute kippah), ndërsa një gjykatë në Taxhikistan (një vend me popullatë 90% myslimane) në vitin 2007, la në fuqi vendimin e Ministrisë së Arsimit për të moslejuar mbajtjen e hijab-it në shkolla.

Të tjera vende islamike, që e ndalojnë mbajtjen e shallit në shkollat publike, janë Tunizia (qysh prej vitit 1981) dhe Turqia (prej vitit 1997). Duke vendosur një standard juridik për të gjithë anëtarët (përfshirë dhe Shqipërinë), Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në vendimin e saj Leyla Şahin dhe Zeynep Tekin vs. Turqisë i dha të drejtë shtetit turk që të ndalonte veshjen e hijab-it, duke e konsideruar masën si "të nevojshme" dhe jo në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Nga sa më sipër, është e nevojshme që shoqëria shqiptare të përballet në mënyrë të hapur, serioze me një problem që tanimë është tepër real në të gjithë Evropën ku ne synojmë të integrohemi. Parimet kushtetuese të bashkëjetesës fetare dhe tolerancës së ndërsjellë mes shtetit e komuniteteve religjioze duhet të vendosen në një perspektivë të shtrirë në kohë e në hapësirë, përmes një debati të hapur publik dhe eventualisht në një përkufizim të qartë politik e ligjor, që do të lejonte zgjidhjen dhe evitimin e të tilla problemeve në të ardhmen evropiane të vendit.

Ajo që duhet të pranojmë është se qëndrimet ndaj shallit fytyrmbulues në thellësi fshehin paragjykime, profilizim etniko-fetar, e supremaci fetare nga njëra anë, apo radikalizëm fetar, shtypje të lirisë së femrës dhe segregacion social e kulturor nga ana tjetër. Ndërsa përdorimi i shamisë në traditën myslimane ka rrënjë të thella kulturore, fetare, gjinore, politike dhe ideologjike, duhet gjithashtu kuptuar që shoqëria shqiptare tenton të jetë progresiste, moderniste dhe pro evropiane në tërësinë e saj. Mbulimi i këtij tensioni fetaro-social deri më tani ka funksionuar, por sigurisht që ky problem nuk zhduket vetëm duke e injoruar; herët a vonë do të duhet si shoqëri të përballemi me të, apo me një version më të radikalizuar e më agresiv që do të lejojë shumë pak vend për debat e negociata.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›