E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klod Duro, imazhi i “Nike” në Shqipëri

Klodian Duro është i imazhi i gjigantit amerikan "Nike", kompania më e madhe e produkteve sportive në botë, e cila është sponsore zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit për eliminatoret e Boterorit 2010.
Mesfushori me përvojë të gjatë ndërkombëtare i Kombëtare shqiptare, aktualisht në radhët e Alki Larnaka në Qipro nënshkroi një kontratë dyvjecare me "Nike", në terma financiarë të jashtëzakonshme, duke qenë kontrata më e madhe e nënshkruar nga një futbollist shqiptar për të promovuar kitet e një kompanie sportive.
Lajmin për "Albania-sport.com" e bëri të ditur menaxheri i lojtarit, agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia: "Duro nënshkroi një kontratë dyvjecare me filialin amerikan të Nike në Shqipëri dhe do të jetë në qendër të imazhit të kësaj kompanie. Duro vlerësohet nga ata si një ndër lojtarët më popullorë në Shqipëri dhe përputhet plotësisht me objektivat e Nike".
Klodian Duro, i cili më parë ka luajtur edhe në Turqi e Gjermani, është shndëruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Alki Larnakas në Qipro, duke dhënë një kontribut thelbësor për kualifikimin e Alkit në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA-s, ku Alki do të përballet me AEK-un e Athins.
FSHF nënshkroi më 10 qershor 2008 kontratën me Nike, ku bashkëfirmosën presidenit i FSHF-së, Armand Duka dhe përfaqësuesi ekskluziv i "Nike" për Ballkanin, Igor Milojevic i kompanisë "Delta Sport". I pranishëm ishte dhe menaxheri i përgjitshëm e kompanisë shqiptare "Sportiva", Arjan Sala, i cili përfaqëson ekskluzivisht kompaninë "Nike" në Shqipëri.
Kompania amerikane është themeluar në vitin 1972 dhe në vitin 2007 nga shitjet në të gjithë botën kishte një xhiro vjetore prej 16.2 miliardë dollarësh dhe me një fitim neto prej 1.5 miliardë dollarë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›