E Diel, 1 Nëntor 2026

Klodian Duro: Goli im do t’i dhurojë sërish Kupën Tiranës

EKSKLUZIVE (Interviste) - Edicionin e kaluar shënoi golin e finales të Kupës së Shqipërisë Vllaznia-Tirana (0-1, në Lushnjë), me një kryevepër "alla Platini". Mesfushori i Tiranës dhe i Kombëtares, Klodian Duro, autori i golit kundër Teutës në ndeshjen e parë cerekfinale, gjatë intervistës të dhënë para pak castesh për Albania-sport.com, shprehet se do ta bëjë sërish edhe në finalen e edicionit të 55-të të Kupës së Shqipërisë
Autori i pesë golave sezonalë sapo është kthyer nga stërvitja e zakonshme me skuadrën e tij në kompleksin stërvitor të ekipeve kombëtare në Kamzë. Duro është gjithmonë mes miqeve të tij: golashënuesit më i mirë i kampionatit, Vioresin Sinanit, blerjes dimërore, Hetlem Capjes, si dhe i pandarë nga vëllai i tij i madh, Albert Duro, edhe ky një nga të ardhurit e merkatos së janarit te Tirana.
Duro, i papërmbajtshëm ndeshjet e fundit, rendiment në lojë dhe gola.
- Kush kërkon të shënojë, gjen dhe golin. Por, unë do ta konsideroja vetëm si pjesë të zakonshme e detyrës të cdo futbollisti. Shërbimet e mia si mesfushor duken më qartë me realizimin e golave nga sulmuesit, si sezonin e kaluar kur ishte Salihi, edhe tani kur është vetëm Sinani. Kjo është kënaqësia ime. Por, kur shënoj dhe vetë kjo padyshim që dyfishohet.
Për Tiranën duket në ndeshjet e fundit po vendosin individët...
- Tashmë që edhe disa futbollistë janë larguar nga Tirana, ne lojtarëve më me përvojë na ka dalë për detyrë që të marrim përgjegjësitë tona t'i dalim zot jo vetëm ekipit tonë, por dhe të japim tonin në një kampionat që jo shpesh paragjykohet si i një niveli jo të kenaqshëm. Tirana, pas largimi të Salihit luan me një sulmues të avancuar në repartin ofensiv, Sinanin, dhe ne që luajmë në mesfushë na duhet të cojmë te goli jo vetëm atë, por dhe Abazaj apo Pemën, që luajnë në një rol sulmuesi pak më tërhequr.
Klodi, shënuat golin e vetëm të Tiranës në humbjen me Teutën në Durrës (2-1), një gol që mund të "rëndojë" shumë në ndeshjen e kthimit.
- Edhe unë si gjithë shokët e mi e vlerësojmë të rëndësishëm atë gol të shënuar në fushën kundërshtare. Kuptohet që për mua ai një vlerë të dyfishtë përsonale dhe kolektive. Dëshira ime, është që ai të vlejë për kualifikimin, përndryshe ai do të futet vetëm në statistikat e Kupës së Shqipërisë dhe të miat personale.
Realizuat golin e vetëm të finales së kaluar Vllaznia-Tirana, që i solli Tiranës kupën e 13-të në historinë e saj në Kupën e Shqipërisë.
- Dëshiroj që edhe gjatë këtij edicioni të shënoj golin që do t'i dhurojë Tiranës trofeun e dytë sezonal. Por, më parë dëshiroj të shënoj gol kundër Vllaznisë, të cilën e mendoj si kundërshtarin tonë në gjysmëfinale. Në finale unë parashikoj Tiranën, për kundërshtarin që do të dalë nga grupi tjetër nuk ka asnjë rëndësi.
Duro, në prag është ndeshja zyrtare me Slloveninë për eliminatoret e Euro 2008, ndërkohë që Shqipëria humbi në Shkodër miqësoren me Maqedoninë.
-Padyshim që të gjithë kush më shumë e kush më pak, mban përgjegjësi për atë ndeshje të zhvilluar edhe në terren të rënduar. Nëse Ervin Skela dhe Besnik Hasi me golat e tyre kundër Bjellorusisë i dhanë pikën e parë Shqipërisë, unë dëshiroj që me golin tim t'i jap fitoren e parë ekipit Kombëtar.
Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›