E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodian Duro, “vrasësi me pagesë” i Elbasanit



Me dy gola e një asist, elbasanasi i Tiranës, Klodian Duro, jo vetëm që ishte futbollisti më i mirë i takimit, por falë “këmbëve të arta” të tij, Tirana, 13-herë fituese e Kupës së Shqipërisë mposhti 3-0 Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta”, duke prenotuar një vend për herë të 20-të në finalet e Kupës së Shqipërisë.
Presidenti i Elbasanit, Arben Laze, bëri publike shifrën prej 40 mijë eurosh për kualifikimin me Tiranën e fitimin e Kupës, por Ahmataj me shokë, ia lanë në kasafortë shumën e majme bosit verdheblu. Tirana kthehet në makthin e Elbasanit, pasi edhe në përballjen e tyre të fundit në kampionat (para 10 ditësh), 23-herë kampionët Shqipërisë, edhe pse luajtën me 9 lojtarë përmbysën shifrat duke fituar 2-1.
Në një atmosferë të jashtëzakonshme (rreth 11 mijë shikues), Elbasani i Krenar Alihmehmetit bëri paraqitjen më të shëmtuar në shtëpi, edhe pse ia doli të mbyllë pjesën e parë pa gola.
Gjyqtari Mentor Sopiani anuloi një gol të Elbasanit (Sakaj), ndërsa kapiteni i verdheblube, Julian Ahmataj nuk mundi të shënonte me portën bosh në minutën e 34-t. Klodian Duro pas qethjes së shtyllës pingule pas një silure prej më shumë se 20 metra në fraksionin e parë, i dhuroi pas të artë sulmuesit Daniel Xhafaj për të realizuar golin e parë në minutën e 60-të Elbasani shokohet, ndërsa Julian Ahmataj në nervozizëm e sipër shkakton faull ndaj Sinës së Tiranës. Sopiani akordoi penallti në minutën e 72-të, të cilën një specialist si mesfushori i Kombëtares, Klodian Duro, nuk mund ta humbiste kurrsesi. 0-2 dhe ka kojë edhe për një gol të tretë. Ndëshkuesi i madh ka të njëjtën emër. Klodian Duro. Një “vrasës me pagesë”, dhe për më tepër një djalë “plangprishës”. Minuta e 84-t trefishoi rezultatin për skuadrën e Sulejman Memës, ndërkohë që dy minuta më pas, në të 86’, Ahmataj (autori i një autogoli në Elbasani-Besa 3-1) u ndëshkua me karton të kuq. Pesë minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari i katërt nuk i dhanë mundësi Elbasanit të shënonte golin e nderit.
Me një fitore 3-0 në transfertë, Tirana është shumë pranë kualifikimi të 8-të ndaj Elbasanit (4 kualifikime), ndërsa do të duhet ndonjë mrekulli, që formacioni i Lazes të shkojë në finalen e 4-t historike, pasi i duhet minimalisht fitorja 4-0 në “Selman Stërmasi”.

“Tris” 3-0

Sa për statistikë, kjo është fitorja e tretë me rezultatin 3-0 e Tiranës ndaj verdhebluve. Dy të parat kanë ndodhur në vitin 1972 dhe 2002, ndërsa me diferencë + 3 gola bardheblutë në përballjet e Kupës kanë fituar 3 herë me Elbasanin.

Kupa e Shqipërisë
Gjysëmfinalet
Ndeshja e parë
Elbasani-Tirana 0-3
Golat: 60’ Xhafaj, 72’ Duro (11-m), 84’ Duro
Ndeshja e kthimit
Tirana-Elbasani, 23 prill

FSHF-ja “shkrin” financiarisht Përparimin

Shuma e gjobave financiare e vendosur nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit në 12 vendimet e marra prej tij arrin në 840 mijë lekë, ku pjesën e luanit, me 650 mijë lekë e zë klubi i futbollit “Përparimi” i Kukësit. Klubi i kategorisë e dytë pas incidenteve të ndodhura gjatë lojës dhe dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarëve në takimin me Tërbunin e Pukës. Për t’i bërë presion arbitrit laçian u përfshi edhe kryebashkiaku i Kukës, Hasan Halili. Përveç kësaj fusha e Përparimit u pezullua gjashtë ndeshje. Trajneri i Përparimit, Artur Alinci për goditje me shkelm të gjyqtarit u pezullua një vit nga aktiviteti dhe u gjobit me 50 mijë lekë. “Dora e hekurt” rëndoi edhe mbi zyrtarët kuksianë. Rasim Sopi e Isa Zeneli për presion, kërcënime të arbitrave u pezulluan tre ndeshje, ndërsa duhet të derdhin në arkën e FSHF-së edhe nga 50 mijë lekë secili. Edhe lojtarët e Përparimit, Besmir Beluli e Andi Lamçe për goditje me grusht të kundërshtarit u pezulluan me nga tetë ndeshje e u gjobitën me nga 100 mijë lekë secili. Ofendimet ndaj arbitrit të dy zyrtarëve të Adës, Alfred Pjetri e Mark Giani, iu kushtuan 30 mijë lekë gjobë secili dhe nga një ndeshje pezullim. Edhe zëvendëstrajneri i Sopotit, Besnik Kola për ofendim të arbitrit morri të njëjtën masë ndëshkimore: 30 mijë lekë gjobë dhe 1 ndeshje pezullim. Trajneri i ekipit “U-19” të Skënderbeut, Gjergji Avramushi per ofendim ndaj arbitrit u pezullua një ndeshje dhe u gjobit me 30 mijë lekë. Me të njëjtat masa u ndëshkua edhe trajneri i ekipit “U-19” të Shkumbinit, Xhaferr Lundraxhiu. Masazhatori i ekipit të Poliçanit, Adriatik Dashi, për ofendim të arbitrit u pezullua me një ndeshje dhe u gjobit me 30 mijë lekë. Në nivelin e lojtarëve, Elton Ceno i Sopotit për goditje me grusht të kundërshtarit u pezullua me pesë ndeshje dhe u gjobit me 100 000 lekë. Edhe inferiorët ishin në fokusin e Disiplinorit. Lojtari i ekipit “U-19” të Adës, Ardit Bushaj për ofendim ndaj zyrtarit të ekipit kundërshtar u pezullua 3 ndeshje.

Renditja FIFA, Shqipëria humbet dy vende

Shqipëria vazhdon të humbasë terren në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Në klasifikimin e muajit prill kuqezinjtë kanë humbur edhe dy vende të tjera në raport me muajin mars. Nga vendi i 74-t që mbanin një muaj më parë, tashmë kombëtarja shqiptare është klasifikuar në vendin e 76 në kuotën e 418 pikëve. Pezullimi i Shqipërisë nga FIFA dhe UEFA ka ndikuar jo pak në pozitat e kombëtares shqiptare ne klasifikimi botëror te përmuajshëm. Miqësoret ndaj Arabisë Saudite dhe Moldavisë në program për tu luajtur gjate muajit mars i kanë mohuar përfaqësueses se holandezit Ari Han të prezantohej në arenën ndërkombëtare çka mund te sillte një pozicion më të mirë të kombëtares tonë në renditjen e muajit Prill. Ndërkohë, përsa i përket kundërshtarëve të Shqipërisë në eliminatoret e botërorit 2010 Hungaria është skuadra e cila ka humbur 5 shkallë duke zbritur në vendin e 56-të nga një vend kanë humbur Portugalia dhe Malta, ku skuadra e Skolarit pozicionohet në vend të 9-të, ndërkohe qe Suedia dhe Danimarka kanë ruajtur pozitat e tyre te mëparshme ne vendet 24 dhe 33. Edhe për muajin prill renditja botërore e FIFA-s udhëhiqet nga Argjentina me 1519 pikë, 10 pikë më shumë se Brazili, ndërkohë që kampionia e botës, Italia pozicionohet në vend të tretë.

Orgjia naziste, Mosli humb betejën

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, Maks Moslei humbi betejën e parë ligjore kundër gazetës britanike “News of the World”. Tabloidi i përditshëm mund të mbajë online videoklipin 90 sekondësh të orgjisë së tij sadomazokiste në stilin hitlerian. Gjykata e Lartë e Londrës mori vendimin e saj, ndërkohë që numri i një FIA-s kërkoi apelimin e vendimit.

Komitetet Olimpike: Jo, bojkotimit “Pekin 2008”

Komitetet olimpike nga e gjithë bota (përfshi edhe atë të Shqipërisë) të mbledhur për tre ditë në kryeqytetin kinez hodhën poshtë thirrjet për bojkotimin e Lojërave Olimpike “Pekin 2008”.
Sara Simeoni, ish-kampione olimpike e kërcimit së larti, e intervistuar nga televizioni italiane “Canale 5”, propozoi se do të ishte më mirë se flaka olimpike duhej mbajtur e fikur gjatë Ceremonisë së Hapjes, për të qenë një moment reflektimi të thellë e të përgjithshëm.

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›