E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letrat me vlerë, një tjetër 25-vjeçar menaxhonte miliardat

Deklan Ganley si Diveroli, 25 vjeç kur erdhi në Shqipëri. Bosi i “Ganley Group” jeton mes luksit dhe jetës mondane

Habjon Hasani
Nëse 45 mijë aksionarë të “Anglo-Adriatikas” kanë ngelur me gisht në gojë, pakkush prej tyre e di se bosi i kësaj firme, Deklan Ganley, jeton sot mes luksit dhe jetës mondane. Ndërsa Ganley i paraqiti në bursat ndërkombëtare në vitin 1997 aksionet e shqiptarëve (120 milionë dollarë) si të tijat dhe me to investoi në Bullgari e më gjerë, sot, 45 mijë aksionarët e tij shqiptarë janë krejt të pafituar lidhur me fatin e bonove të tyre të privatizimit. Megjithatë, nëse i referohesh shtypit irlandez dhe jo vetëm, del se Ganley bën një jetë shumë të shtrenjtë dhe se konsiderohet si një “magjistar” i ekonomisë së tregut në sajë të marifeteve të tij të shkathëta për të fituar shumë në bursë e jo vetëm. Interesant është raportimi i vitit 1999 i CSBS, kanalit televiziv amerikan, i cili deklaron: “Në sajë të fondit prej 120 milionë dollarësh që Ganley ka mbledhur nga 45 mijë aksionarët e tij shqiptarë, arriti në një kohë shumë të shkurtër të hynte fuqishëm në treg, duke bërë zgjerimin e aktivitetit të tij dhe duke hapur firma të tjera si “Broadnet” apo Telekomit Bullgar. Nëse u referohesh mediave irlandeze, Ganley sot ka një kështjellë në Irlandë, ndërsa duket se pasioni i tij janë makinat e markës “Mercedes Benz”, e s’ka si të jetë ndryshe kur rezulton se Ganley ka 12 makina të tilla, që të gjitha prodhim special i porositur.
Afaristi
Në moshën 21-vjeçare, Deklan Ganley nisi aktivitetin e tij fillimisht në Rusi. Atje ai u interesua dhe hyri në lojë fillimisht me biznesin e tij me bursën e hekurit, por edhe me një sërë ndërmarrjesh të tjera në Rusi, të cilat më pas ia shiti fondacionit “Soros”. Pas kësaj eksperience del se Ganley e shtriu aktivitetin në shumë vende të tjera Lindore, ndërsa në Shqipëri (sikurse u vërtetua te “Albania”), manovrimi i tij me bonot e privatizimit e bëri që të paraqiste në bursë kapitalin e rremë prej 120 milionë dollarësh në pronësi të tij. Sakaq, Ganley duket se ka ambicie të forta edhe në politikë, duke mbështetur “Partinë e të Gjelbërve” në Irlandë, por ai ka krijuar gjithashtu edhe Institutin “Libertas” të studimeve gjeopolitike. Aktiviteti më interesant i Ganley-t në sferën politike lidhet me atë që quhet “Klubi i Madridit”, që është një organizëm që mbledh çdo vit ish-presidentë dhe ish-kryeministra nga të gjitha vendet e botës. Nga Shqipëria rezulton se anëtar aktiv i këtij klubi është ish-presidenti Rexhep Meidani.
Afera
”Albania” faktoi dy ditë më parë se aksionet e 45 mijë kreditorëve të kompanisë ”Anglo-Adriatika” janë ”lozur” në bursat ndërkombëtare nga drejtuesit e këtij fondi. Këtë fakt e vërteton vetë faqja zyrtare e ”Ganley Group”, i cili ka të shkruar se ky grup ka arritur të mbledhë 45 mijë aksionarë nëpërmjet fondit ”Anglo-Adriatika” në Shqipëri, ndërsa më tej deklarohet se prej këtyre aksioneve ky grup ka siguruar një vlerë prej 120 milionë dollarësh deri në vitin 1997. Ky vetëdeklarim i ”Ganley Group” i ”vë vulën” privatizimit që irlandezët i kanë bërë letrave me vlerë të shqiptarëve duke i paraqitur si asete të firmës së tyre në bursat ndërkombëtare. Po a kanë qenë aksionet e 45 mijë shqiptarëve (me vlerën e 120 milionë dollarëve) aksione të kompanisë “Ganley Group”? Përgjigjja është “jo”. Pasi gjatë trazirave të vitit 1997 ”Anglo-Adriatika” ka depozituar letrat me vlerë në ish-Bankën e Kursimeve duke pritur që me anë të tyre të kryente privatizimet e ndërmarrjeve strategjike vetëm në Shqipëri. Në momentin kur kjo kompani (”Ganley Group”) që prej vitit 1997 deklarohet se disponon si të sajat 120 milionë dollarë aksione të ”Anglo-Adriatika”, del që në bashkëpunim me zyrtarë e kohës ”Anglo Adriatika” ka siguruar vërtetimin nga Banka e Kursimeve për ”pronësinë” e këtyre aksioneve e më tej ka qenë e lirë për t’i paraqitur ato në bursat ndërkombëtare. Rreth 120 milionë dollarë janë marrë nga fondi i investimeve Anglo-Adriatik prej 45 mijë shqiptarëve që prej vitit 1996. E konvertuar në vlerën e sotme të dollarit, kjo shumë do të ishte edhe më e madhe, rreth 160 milionë dollarë (në kohën kur janë mbledhur bonot e privatizimit dollari kuotohej me 133 lekë). Anglo-Adriatic Investment Fund drejtohej nga Ganley Group. Ai mori licencën e parë për ushtrimin e një aktiviteti të tillë më 23 prill 1996. Ganley Group (me drejtues Declan Ganley) kishte 90% të aksioneve të Anglo-Adriatikës dhe 10% ishin në zotërim të Rothschild Emerging Markets. Duke kërkuar në internet, Ganley Group e vazhdon aktivitetin e vet në Galway në Irlandë dhe vazhdon të ketë degë në shumë vende të Europës (përjashto vetëm Shqipërinë).

BOX
Implikimi, Deklan Ganley bëri lobing për qeverinë shqiptare

Në shtator të vitit 2007, në një gjyq të zhvilluar në Irlandë, duket se kanë dalë dhe “të palarat” mes bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe krerëve të kompanisë “Anglo-Adriatika”. Gjyqi i zhvilluar disa muaj më parë ka nxjerrë në pah një linjë bashkëpunimi mes qeverisë “Meksi” dhe kreut të “Ganley Group”, Declan Ganley, ndërsa ky i fundit kishte hyrë si ndërmjetës për të paguar disa deputetë irlandezë që të ndihmonin qeverinë shqiptare për të shmangur rënien e skemave piramidale. Nga raportimet e mediave irlandeze zbulohet se vetë Deklan Ganley ka deklaruar para gjykatësve se ai ka sjellë në Shqipëri deputetin Liam Laulor, ndërsa ky i fundit është paguar asokohe rreth 340 mijë dollarë nga qeveria shqiptare. Por interesimi i gjykatësve të kësaj çështjeje ka qenë lidhur me një tjetër deputet irlandez të quajtur Frank Dunlop, i cili mendohej se kishte favorizuar një kompani irlandeze në këmbim të ndihmës dhe asistencës që do t’i ofrohej qeverisë shqiptare. Megjithatë, ndërsa kreu i Anglo-Adriatikas ka pranuar implikimin e deputetit Liam Laulor, ka bërë të paditurin lidhur me implikimin e deputetit tjetër, i cili mendohet se ka favorizuar duke rritur aksionet e kompanisë “VAT” si pasojë e paktit me qeverinë shqiptare. Gjyqi i zhvilluar në shtator të vitit 2007 në Irlandë duket se përforcon idenë se qeveritarë të kohës në pragtrazirat e vitit 1997 kanë favorizuar në mënyrë të kundërligjshme krerët e kompanisë “Anglo-Adriatika”, ndërsa vetë kjo kompani ka deklaruar si pronë të sajën 45 mijë aksionet e shqiptarëve të mbledhura në letër me vlerë, të cilat arrinin asokohe vlerën e 120 milionë dollarëve. Është pikërisht ky gjyq që hedh dritë mbi lidhjet e zyrtarëve shqiptarë të kohës me drejtuesit e kësaj kompanie, e cila me shumë gjasa ka përdorur pasurinë e 45 mijë shqiptarëve duke blerë prona marramendëse në vendet e tjera.

BOX
Letrat me vlerë, vendet Lindore viktima të “elefantëve” të bursës

Në përgjithësi është evidentuar që privatizimi përmirëson administrimin e shoqërive shtetërore. Por në disa ekonomi në tranzicion ndryshimi i pronësisë nuk ka sjellë premtimin e parashikuar. Skema e privatizimit masiv është përdorur në Çeki, Kazakistan, Mongoli, Moldavi dhe Shqipëri, por në të gjithë këto vende, pas shumë përpjekjesh, zotëruesit e bonove të privatizimit nuk kanë arritur të përfitojnë. Përvoja botërore tregon se shpërndarja e pronësisë midis një popullate të papërvojë ka sjellë një administrim jo efektiv të shoqërisë, por dhe ka sjellë në këto vende “mjeshtër” të bursës që kanë përdorur pasuritë e popujve të varfër dhe të painformuar për të ngritur perandori të reja financiare më vonë. Përvoja në rajon tregon që bonot e privatizimit janë përdorur gjerësisht në procesin e privatizimit masiv. Në këto vende, një nga arsyet kryesore të krijimit dhe ngritjes së bursave ka qenë pikërisht sigurimi i një tregu të rregulluar për anëtarët dhe publikun e gjerë për tregtimin e bonove të privatizimit. Ndërsa përsa i përket bursës në vendin tonë, si një treg i rregulluar i letrave më vlerë, mund të thuhet që bonot e privatizimit janë letra me vlerë juridikisht të tregtueshme në sesionet e tregut sekondar të Bursës së Tiranës.

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›