Harxhi: Vizat, vetëm çështje teknike
Liberalizimi i vizave është thjesht dhe vetëm një çështje procedurale. Kriza politike e tanishme dhe angazhimi i Parlamentit Europian nuk mund të interferojnë në një proces që, sipas zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ka tanimë vetëm karakter teknik. Në këtë kuadër, sekretari i përgjithshëm i institucionit që drejtohet nga zëvendëskryeministri Ilir Meta, Gazmend Turdiu, deklaroi dje për gazetën “Shqip” se “grupi i ekspertëve që do të monitorojë përmbushjen e tri kritereve ende të paplotësuara, do të mbërrijë në Tiranë në fillim të muajit korrik”. Ai ka bërë të qartë se rruga institucionale që do të ndjekë ky proces është e parashikuar, rutinë dhe nuk mund të vihet në referim të asnjë momenti politik të brendshëm. Në parantezë këto kritere janë riintegrimi i shtetasve shqiptarë të kthyer, përforcimi i kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor për luftën kundër krimit e korrupsionit dhe zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor në fushën e konfiskimit të aseteve nga krimi i organizuar, siç quhet ligji “Antimafie”. Po kështu, numri dy i Ministrisë së Jashtme, Edit Harxhi, sqaroi për gazetën “Shqip” se grupi i ekspertëve që do të këqyrë përmbushjen e tri pikave të sipërpërmendura do të veprojë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për ilustrim ajo ka sjellë rastin e parë, për përmbushjen e të cilit qeveria shqiptare ka ngritur një grup pune të posaçëm, i cili edhe do të kontaktohet nga ekspertët e Komisionit Europian. Sigurinë e plotë për karakterin teknik të procesit të liberalizimit e jep edhe rruga institucionale e mbetur deri në marrjen e vendimit final. Kështu, raporti i grupit të ekspertëve i dërgohet Komisionit Europian, i cili, nga ana e vet, e dërgon në Parlamentin Europian. Sipas axhendës së parashikuar, ky organ do të mblidhet rreth fillimit të muajit shtator për të miratuar një rezolutë, e cila do të marrë në konsideratë raportimin paraprak të hartuar mbi monitorimin në terren. Sipas zv.ministres së Jashtme, Harxhi, akti i Parlamentit Europian mund të konsiderohet praktikisht si vendim, pasi pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, ky institucion ka fituar një rol të ri. Në fakt momenti i vendimmarrjes apo i shprehjes në Parlamentin Europian ka një rëndësi shtesë, pasi raportet e votimit në të janë pasqyrë e qëndrimeve të të gjitha vendeve anëtare. Si hap i fundit mbetet gjykimi i Këshillit të Ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, të cilët do të hapin miratimin final që, gjithsesi, ruan një karakter vetëm formal. Për të dhënë një argument shtesë rreth faktit që kriza politike në Shqipëri nuk mund të influencojë në liberalizimin e vizave, zv.ministrja e Jashtme, Harxhi, ka sjellë si shembull rastin e Bosnjë-Hercegovinës. “Që procesi është vetëm teknik, kjo mund të verifikohet edhe nga deklarata e komisionerit të zgjerimit, Fule, në Samitin e Sarajevës. Por, gjithsesi, me vlerë për të argumentuar faktin se liberalizimi ka vetëm karakter teknik dhe nuk mund të kushtëzohet nga momenti politik mund të sillet rasti i Bosnjës. Bosnja ndodhet aktualisht në momentin më të vështirë që nga koha e Marrëveshjes së Dejtonit dhe sërish është bërë e qartë se kjo nuk kushtëzon heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e këtij vendi”, u shpreh për “Shqip” zv.ministrja e Jashtme, Edit Harxhi. Sipas kësaj panorame, vjeshta e këtij viti do të sjellë lëvizjen e lirë për qytetarët shqiptarë, pavarësisht nëse klasa politike do t’ia dalë të gjejë mirëkuptim për krizën e tanishme dhe për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
#