E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seks me të miturën, prangoset i riu

Denoncon për përdhunim pas tetë muajsh ish-të dashurin, policia e Fierit nis hetimet për një 24-vjeçar nga fshati Libofshë i komunës me të njëjtën emër në rrethin e Fierit. Akuzuesja është një bashkëfshatarja e tij, N. Bushi, 15 vjeçe, e cila ka pasur një lidhje "miqësore" muaj më parë me 24-vjeçarin Bujar Ndinin. Pas marrjes së deklaratës së të dëmtuarës, policia ka shoqëruar autorin e dyshuar, ndërkohë që hetimet paraprake kanë treguar se mes dy të rinjve ka pasur akt seksual. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit, bëhet e ditur për "Shqip" se e mitura, e shoqëruar nga nëna e saj, i është drejtuar Komisariatit të Policisë Fier mbrëmjen e së mërkurës. E mitura ka deklaruar se është përdhunuar 8 muaj më parë nga 24-vjeçari Ndini, por deri tani kishte pasur turp të tregonte. Vajza është dërguar te mjeku ligjor, i cili ka konstatuar se 15-vjeçarja kishte kryer marrëdhënie seksuale, por tetë muaj pas aktit nuk mund të vërtetohej nga ana mjekësore se kjo marrëdhënie ishte kryer me dhunë. Gjithsesi vajza është e mitur dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale me të, qoftë edhe me dëshirë përbën krim, ndaj policia ka shoqëruar menjëherë të akuzuarin Bujar Ndini. Ai është marrë në pyetje nga grupi i hetimit. Burime zyrtare të Policisë Fier tregojnë se Ndini ka pranuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me 15-vjeçaren që e kishte denoncuar, por, sipas tij, kjo është bërë me dëshirën e vajzës, e cila në atë kohë nuk kishte mbushur ende 15 vjeç. Koha që ka kryer marrëdhënie sipas autorit të dyshuar është pikërisht ajo që ka dhënë edhe denoncuesja. Zyrtarisht policia ka ndalur 24-vjeçarin nën akuzën e "marrëdhënieve seksuale me dhunë", por burime të saj deklarojnë se ngjarja është ende në fazën e hetimit. Vijimi i këtyre hetimeve do të zbardhë edhe të vërtetën e ngjarjes, por konfirmohet se 24-vjeçari nuk mund të shpëtojë nga akuza e "marrëdhënieve seksuale me të mitura".

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›