Zgjedhjet e pjesshme, PD kryeson 5 njësitë vendore
Tropojë/ Berat/ Pukë
Partia Demokratike rikonfirmohet në 5 njësitë vendore ku u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme lokale. Kjo forcë ka arritur të fitojë me diferencë të madhe votash në të gjitha komunat dhe bashkitë, të cilat zhvilluan zgjedhje, pak muaj pas atyre të përgjithshme. Procesi i djeshëm elektoral erdhi për shkak se pesë kryetarët e zgjedhur në vitin 2007 fituan mandatin e deputetit nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Në zgjedhjet e pjesshme Partia Socialiste e bojkotoi procesin, për shkak të refuzimit nga PD të kërkesës së opozitës për hetimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas KQZ-së pjesëmarrja në votime ishte rreth 20% për qind.
Rezultatet
Në njësinë bashkiake nr. 10, më e rëndësishmja dhe ku pritej të kishte një garë më të fortë, kandidati i Partisë Demokratike kryesoi me më shumë se 700 vota diferencë. Deri rreth orës 24, kur ishin numëruar 11 nga 21 qendrat e votimit, kandidati i PD-së, Blendi Fuga kishte 1200 vota, ndaj 515 të kandidatit të LSI-së, Gjergj Thomai. Në këtë njësi vendore dy vjet më parë fitoi Gerti Bogdani. Dy komunat që përfunduan të parat procesin e numërimit të votave ishin Fushë Arrëz dhe Fierza. Në Fushë Arrëz, bashki ku fitoi në 2007 Ndue Paluca, aktualisht deputet i PD-së, fitoi kandidati i kësaj partie Alfred Cafaj me rreth 500 vota më shumë se kandidati i LSI-së. Një fitore të thellë PD-ja arriti edhe në komunën Fierzë të Tropojës, ku kandidati i saj mori rreth 850 vota më shumë se kandidati i LSI-së. Në Otllak, ku LSI fitoi dy vjet më parë, deri në mesnatë ishin numëruar gjashtë kuti votimi dhe PD kryesonte me rreth 800 vota më shumë. Në Bashkinë Klos, ku kryebashkiak në 2007 u zgjodh Bedri Hoxha, i cili tashmë është deputet i PD-së për qarkun e Dibrës, kandidati demokrat kryesonte me rreth 1200 vota më shumë se kandidati i LSI-së kur ishin numëruar 10 qendra nga 15 që ka gjithsej kjo njësi vendore. Procesi i votimit u zhvillua i qetë në të gjitha njësitë vendore. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli tha mbrëmë në një prononcim për mediat se sot rreth mesditës do të shpallet edhe rezultati zyrtar i këtyre zgjedhjeve.
Zgjedhjet E PJESSHME
Minibashkia 10 Tiranë 11 nga 21 qendra
Pjesëmarrja 20%
Blendi Fuga PD 1200 vota
Gjergj Thomai LSI 515 vota
Bashkia Fushë Arrëz
Pjesëmarrja 42%
Alfred Cafaj PD 969 vota
Dedë Gjergji LSI 455 vota
Fiton PD Alfred Cafaj
Bashkia Klos 13 nga 15 qendra
Pjesëmarrja 49%
Ramazan Mjeshtri PD 2288
Xhevdet Reci LSI 1050
Komuna Otllak 6 nga 12 qendra
Pjesëmarrja 30%
Muharret Hoxha PD 1020
Nasif Naso LSI 230
Komuna Fierzë
Pjesëmarrja 38%
Gjelosh Pepkolaj PD 908
Mehmet Ponari LSI 50
Fiton PD Gjelosh Pepkolaj