Klose, jashtë Kupës së Konfederatave
03/06/2005 Përgatitjet për Kupën e Konfederatave deri tani, nuk po ecin aspak siç duhet për Kombëtaren gjermane, pasi çdo ditë që kalon, ruan një “surprizë” të keqe për trajnerin Jurgen Klinsman. Pasi është bërë e ditur se tekniku gjerman nuk do të ketë me vete, gjatë kompeticionit të qershorit, Ditmar Hamanin dhe Filip Lahmin, dje ka marrë vesh se skuadrës do t’i mungojë edhe sulmuesi i Verder Bremenit, Miroslav Klose. “Mungesa e tij është tepër e dhimbshme për ne, pasi Miroslav është një nga më të rëndësishmit e skuadrës sonë, një lojtar shumë efektiv në sulm” – është shprehur Klinsmani. Në vendin e Kloses, tekniku gjerman duket se do të pozicionojë sulmuesin e Volfsburgut, Tomas Brdariç, i cili deri tani ka zhvilluar tetë ndeshje me Bundestimin. Vet Bradriç është ndier i surprizuar nga ky aktivizim i pamenduar për të, duke u shprehur: “Nuk e kisha menduar se do në verë do të luaja sërish me Kombëtaren. Më bëhet shumë qejfi që tashmë jam pjesë e saj. Të tjerat do t’i shikojmë, kur të dal në fushë. Së shpejti, Brdariç duhet të vendosë edhe se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, pasi së fundi është kërkuar nga ish-skuadra e tij, Hanoveri. Pasi Klose është vizituar nga mjeku i skuadrës Kombëtare gjermane, Hans Vilhelm Myler, është marrë vendimi se sulmuesi i Verderit duhet t’i nënshtrohet një operacioni në gjurin e djathtë dhe si rrjedhojë, nuk do të luajë për rreth katër javë. Klose e ndjeu se kishte dhembje të forta në gju, pas ndeshjes që Kombëtarja gjermane zhvilloi me Bajernin e Mynihut, me rastin e përurimit të “Allianz Arena”- s. Deri tani, Klose ka zhvilluar 46 ndeshje me Bundestimin dhe ka shënuar 20 gola. Megjithatë, Klinsmani gjen njëfarë ngushëllimi për këto dëmtime, duke u shprehur: “Natyrisht që nuk na vjen mirë aspak, kur lojtarët dëmtohen, megjithatë më mirë t’i kemi ato tani, sesa vitin tjetër kur ne do të luajmë në Botëror. Një tjetër shqetësim, për trajnerin Klinsman përbën dëmtimi i Kristian Shulzit, i cili pas një goditjeje në gjurin e majtë është detyruar të mos marrë pjesë në stërvitjen e së enjtes. Megjithatë, doktori Myler është shprehur për këtë të fundit: “Eshtë vetëm një ndrydhje. Natyrisht që shkakton shumë dhembje, por do të kalojë shpejt dhe Kupa e Konfederatave nuk është rrezik për Shulcin”.