E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çekia kërkon gjashtë pikë

03/06/2005  Kombëtarja e Çekisë ka planifikuar të marrë gjashtë pikë, prej dy ndeshjeve të ardhshme eliminatore për Botërorin 2006, të cilat do të zhvillohen në ditët në vazhdim, ndaj Andorës dhe Maqedonisë. Çekia, aktualisht gjendet e pozicionuar e dyta, në grupin e parë, një pikë poshtë Holandës dhe tashmë, synon dy fitore gjatë këtyre dy takimeve në shtëpinë e tyre. “Neve na duhen patjetër gjashtë pikët. Në të dyja ndeshjet do të synojmë të shënojmë gol që në fillim të takimit. Vetëm kështu, do të mundim t’i vëmë nën presion kryesuesit e grupit, holandezët” – shprehet sulmuesi çek, Tomas Galasek. Nuk është diçka e re që Holanda dhe Çekia gjenden në garë me njëra-tjetrën, pasi të dyja skuadrat kanë qenë kundërshtare edhe gjatë Euro 2000 dhe Euro 2004. Të dyja këto skuadra do ta shohin veten përballë njëra-tjerës sërish në tetor, megjithatë aktualisht Çekia është e përqëndruar në ndeshjet që ka nesër dhe të mërkurën. Andora ka vetëm katër pikë nga shtatë ndeshje të zhvilluara, ndërkohë që Maqedonia ka një pikë më shumë. “Të gjithë fansat tanë presin që ne t’i shpërblejmë me gjashtë pikë dhe është e sigurt që do ta bëjmë. Synimi ynë është të ngjitemi në krye të grupit tonë dhe të përparojmë drejt finaleve të Botërorit” – pohon mesfushori çek, Karel Poborski, lojtari me më shumë pjesëmarrje në këtë Kombëtare. Me sa duket, skuadra çeke do të jetë plotësisht e mobilizuar për këto dy takime dhe do të ketë pothuajse të gjithë lojtarët në dispozicion. Mesfushori i Çelsit, Jiri Jarosik, i cili do të kryejë një operacion në sy, do të zëvendësohet nga mesfushori i Sparta Pragës, Lukas Zelenka, i cili merr pjesë për herë të parë në Kombëtare. Zelenka është lojtari i nëntë nga Kombëtarja çeke e moshave U-21, që fitoi Euro 2002-in dhe që tani ka kaluar në atë të profesionistëve. Megjithatë, Çekia është ende në kërkim të një udhëheqësi, që do të zëvendësojë në mesfushë, Pavel Nedvedin, i cili është larguar nga futbolli ndërkombëtar dhe më i përshatshmi për këtë, duket të jetë lojtari i Dortmundit, Tomas Roziçki.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›