Klosi: Qeverisja e PS do të mbrojë mjedisin
Deputeti i PS, Blendi Klosi, ishte dje në Krujë ku preku një nga pikat më të nxehta në këtë qytet, siç është ndotja ambientale. Klosi shpjegoi programin e ri të PS, në të cilin një ndër shtyllat e tij, është mbrojtja mjedisore dhe ndalimi i degradimit mjedisor në të gjithë vendin. Klosi shpjegoi se PS nuk do të lejojë më që nga jashtë të vijnë teknologji, të cilat janë jashtë standardeve mjedisore për BE dhe të instalohen në këtë vend për interesa personale, siç ka ndodhur deri më sot. "Ne nuk do të lejojmë që Shqipëria të jetë dhe të bëhet siç po bëhet nga Shqipëria e Sali Berishës dhe nga familja e tij; vendi i mbeturinave industriale", tha ai. Deputeti socialist vuri në dukje se teknologjitë më të vjetruara po vijnë në Shqipëri, sepse e kanë të pamundur të marrin licencë apo leje në vendet e tjera të Evropës. "Vijnë në Shqipëri, sepse Kryeministër është Sali Berisha. Familja e tij kryeministrore është drejtpërsëdrejti e përfshirë në këtë biznes dhe ata nuk pyesin për shqetësimet që i krijohen banorëve të kësaj zone. Ne nuk jemi kundër zhvillimit teknologjik, por jemi kundër një damkosjeje ambientale të Shqipërisë", shtoi Klosi.