E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta:Premtojmë zero TVSH për librat

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, premtoi dje zero TVSH për të gjitha llojet e librave, shkollorë apo artistikë. Meta vizitoi një librari në kryeqytet i shoqëruar edhe nga kandidati i LSI për deputet në Tiranë, Ilir Dashi. Kreu i LSI-së shprehu vendosmërinë e LSI-së që me fitoren e 28 qershorit, do të ndihmohet libri, të ndihmohet krijuesi apo botuesit. Meta tha se duke e bërë zero TVSH-në, për të gjithë llojet e librave dhe jo vetëm për librat shkollorë, por edhe për librin historik dhe artistik, është një ndihmë e madhe për këtë kategori. Njëkohësisht, Meta u angazhua për të bërë zero tatimin mbi të ardhurat, mbi honoraret e shkrimtarëve, pasi dhe ata janë të kufizuar për të mbështetur librin përmes gjithë atyre politikave dhe projekteve të Ministrisë së Kulturës. "Që do të jenë transparente dhe jo klienteliste, sikurse kanë qenë për fat të keq një pjesë e mirë e tyre deri tani", vlerësoi Meta. LSI angazhohet gjithashtu për të ndihmuar në veçanti të gjitha familjet shqiptare në drejtim të pajisjeve të fëmijëve me librat shkollorë dhe për të rimbursuar të gjithë librat shkollorë të arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›