E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Kryeministri Berisha shtoi korrupsionin

Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, deklaroi dje se janë dy gjëra që na ka dhënë me shumicë në këto katër vjet Kryeministri Sali Berisha: korrupsionin dhe varfërinë. Gjatë një takimi në fshatin Mashaj, Leskaj deklaroi se në programin e ri të PS është parashikuar të ngrihet Agjencia e Biznesit Agrar, e cila do të bëjë që të mos rikthehen më fenomene të produkteve bujqësore të skaduara e të patregtueshme. "Ajo që ka ndodhur, është rritja e pjacës së korrupsionit. Do të thotë që korrupsioni është rritur lart dhe është përqendruar në më pak duar, në duart e familjes së Kryeministrit dhe në duart e disa qeveritarëve. Pra, korrupsioni nuk është luftuar, është shtuar. Krimi nuk është luftuar, është shtuar", tha Leskaj duke shtuar se dëshmia më e gjallë është Gërdeci. Sipas saj, krimi dhe korrupsioni janë ngjitur në shkallë të tillë që askush nuk mund ta përfytyronte 4 vjet më parë. Leskaj shtoi më tej se korrupsioni ka përfshirë familjen politike dhe biologjike të Kryeministrit që u premtoi shqiptarëve që do të qeveriste me duar të pastra. "Ai jo vetëm nuk e luftoi korrupsionin, por e përqendroi atë në duart e një grupi të ngushtë njerëzish, që janë të vetmit që janë pasuruar me këtë qeverisje", deklaroi Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›