Lohan: Zëvendësimi i mandateve nuk ndihmon zgjidhjen e krizës
Ambasadori i delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, deklaroi në një intervistë për “Alsat” se djegia e mandateve të deputetëve të opozitës më 4 mars dhe zëvendësimi i tyre me të tjerë nuk do të ndihmonte në zgjidhjen e krizës politike në vend. “çdo hap ligjor që do të merret nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e krizës politike. Problemi qëndron në faktin se të zgjedhurit e Parlamentit nuk janë paraqitur në Parlament”, deklaroi Lohan. Por, sipas tij, nëse deputetët e Partisë Socialiste nuk do të bëjnë betimin në datën 4 mars, atëherë problemi do të jetë edhe më i rëndë. Nga ana tjetër, ambasadori deklaroi se kriza politike në vend e bën të vështirë integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Lohan theksoi se mosgjetja e një konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës mund të sjellë vështirësi edhe në procesin e liberalizimit të vizave në Shqipëri. Sipas tij, ndonëse Komisioni Europian do të japë një përgjigje në maj për këtë proces bazuar në plotësimin e kritereve teknike, do të jenë vetë vendet anëtare të Bashkimit Europian ato të cilat mbi baza politike do të marrin vendimin për liberalizimin ose jo të vizave me Shqipërinë.
#