Klosi: “Qeveria e përfshirë në korrupsion në tenderin e kartave të identitetit”
Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, akuzoi qeverinë se ka nxitur korrupsionin në procesin e tenderit për prodhimin e kartave të identitetit. Sipas Klosit, mungesa e transparencës dhe korrupsioni në këtë proces është nxitur nga vetë kryeministri Sali Berisha, ndërkohë që ai kundërshtoi deklaratat e bëra nga ministri i Rendit, Bujar Nishani. “Nëpërmjet këtij kontakti me ju vazhdojmë të ringremë shqetësimin tonë permanent për mënyrën korruptive me të cilën po përzgjidhet fituesi në koncesionin me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Në prononcimet e dy ditëve të fundit ministri i Brendshëm, që me ligj do të duhet të shprehet i fundit për këtë proces, pasi të ketë dëgjuar vërejtjet e të gjithë të interesuarve, është përpjekur të marrë në mbrojtje një procedurë kryekëput korruptive të kryeministrit Berisha dhe të administruar nga figura më e përfolur për manipulimet zgjedhore në Shqipëri, zëvendësministri Ferdinand Pone”, - deklaroi Klosi.
28 Mars 2008