LSI: “New York Times” i çori maskën Berishës
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ndaj artikullit të botuar në gazetën “New York Times” dhe deklaratave të kryeministri Berisha në drejtim të kësaj gazete. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, tha se Berisha u rikthye në identitetin e tij të vjetër me sulmet ndaj fjalës së lirë. Raporti i gazetës prestigjioze amerikane “The New York Times”, konfirmoi se tashmë tentakulat e Gërdecit janë pjesë e një rrjeti dhe një afere të madhe ndërkombëtare të trafikut të armëve dhe se ato kanë cenuar rëndë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Reagimi i sotëm i kryeministrit Berisha ishte një vazhdim i papërgjegjshmërisë së plotë që ka karakterizuar këtë kryeministër dhe qeverinë e tij që nga dita e tragjedisë, papërgjegjshmëri për të pranuar përgjegjësitë dhe për të reaguar si qeveri serioze që kujdeset për qytetarët e saj. Me sulmin e sotëm ndaj “NYT” kryeministri po realizon një kthim në filozofinë e tij të viteve më parë, filozofinë e goditjes, djegies dhe burgosjes së medias, se çdo media që guxon të thotë të vërtetën është e lidhur me mafien”. Haxhinasto tha se Berisha duhet të japë dorëheqjen, pasi nuk ka asnjë arsye për të qeverisur vendin. “Zotit Berisha tashmë nuk i ka mbetur asnjë arsye politike, ligjore apo morale për të qeverisur shqiptarët”, - u shpreh kryetari i KDK-së së LSI-së.
28 Mars 2008