Klosi në Krujë: Berisha i dhuroi vendit damkosje ambientale
Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht sekretari organizativ i kësaj partie, Blendi Klosi vizitoi dje qytetin e Krujës, ku preku një nga pikat më të nxehta në këtë qytet, siç është ndotja ambientale. Duke folur me krutanët, Klosi ka shpjeguar programin e ri të PS, në të cilin një ndër shtyllat e tij është mbrojtja mjedisore dhe ndalimi i degradimit mjedisor në të gjithë vendin.
Klosi u ka shpjeguar krutanëve në këtë takim se PS nuk do të lejojë më që nga jashtë të vijnë teknologji, të cilat janë jashtë standardeve mjedisore për BE dhe të instalohen në këtë vend për interesa personale, siç ka ndodhur deri më sot: Ne nuk do të lejojmë që Shqipëria të jetë dhe të bëhet siç po bëhet nga Shqipëria e Sali Berishës dhe nga familja e tij; vendi i mbeturinave industriale, u shpreh Klosi, i cili teksa ka folur për teknologjitë e vjetruara që po vijnë në Shqipëri, nuk ka lënë pa akuzuar kryeministrin Berisha për dhënien e licencave dhe lejeve për këto teknologji që kanë të pamundur të marrin licencë apo leje ndërtimi në vendet e tjera të Europës. Sipas Klosit, këto mjetet teknologjike vijnë në Shqipëri sepse kryeministër është Sali Berisha. Ai ka akuzuar familjen kryeministrore drejtpërsëdrejti si të përfshirë në këtë biznes. Klosi tha se kjo familje nuk pyet për shqetësimet që i krijohen banorëve të kësaj zone.