Rritet çmimi në Rrëshen-Kalimash me 100 milionë euro
Në raportin e vet, dorëzuar te FMN, qeveria pranon se kostoja e projektit ka arritur në 530 milionë pa TVSH
Sipas vlerësimeve të FMN, investimi nuk sjell përfitime për popullatën. 80% e parave shkojnë jashtë
Rruga Rrëshen-Kalimash është shtrenjtuar me 100 milionë euro për këtë vit dhe mund të shtrenjtohet edhe më tej, në vitin 2009, duke shkaktuar rritje të fortë në deficitin buxhetor të vendit, si dhe duke ngrënë paratë që duhej të përdoreshin për të investuar në projekte të tjera. Lajmi bëhet i ditur nga letra e mirëkuptimit, që qeveria shqiptare i ka dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe që u publikua dje nga FMN në web-in e vet zyrtar.
"Shpenzimet buxhetore do të rriten përkohësisht këtë vit në 337 miliardë lekë, (31.5% e PBB-së). Investimet pritet të rriten në 7.3% të PBB-së, për shkak se kostoja totale e segmentit Rrëshen-Kalimash është rritur në 530 milionë euro pa TVSH, rreth 100 milionë euro më shumë sesa vlerësimi fillestar", - thotë letra e firmosur nga kryeministri Berisha, ministri i Financave, Bode dhe guvernatori i BSH, Fullani.
"Kostoja është shtuar, kryesisht për shkak të ndryshimeve në projekt si dhe kostos më të lartë të inputeve. Kostoja e inputeve mund të rritet edhe më tej. Ne kemi shmangur pasojat në buxhetin e këtij viti, duke kursyer në projekte të tjera",- thotë letra.
Vetëm rritje
Projekti i segmentit Rrëshen-Kalimash parashikohej të kushtonte rreth 250 milionë euro, sipas vlerësimit të parë. Në tetor të vitit 2006, qeveria nënshkroi një kontratë me konsorciumin "Bektel-Enka" me vlerë 418 milionë euro. Konsorciumi bëri të ditur pak muaj më parë se po kërkonte më shumë para, për shkak se kishte ecur më shpejt me projektin. Letra e qeverisë për FMN vuri në dukje se, në fakt, kjo qe një rritje prej mbi 100 milionë euro në faturën përfundimtare të segmentit 57 kilometra të gjatë.
Të gjitha paratë për Rrëshen-Kalimash
Ky konsiderohet si projekti më i shtrenjtë i inxhinierisë civile i realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Kur qeveria vendosi fillimin e punës, ekspertët filluan të dyshojnë nëse qeveria do t'ia dilte të gjente paratë për ta financuar. Fillimisht u anulua financimi i disa projekteve rrugore, si Fier-Vlorë, pastaj u morën borxh në formën e kredisë tregtare disa qindra milionë euro. Për këtë vit është vendosur të merren 230 milionë euro kredi tregtare për të financiar këtë projekt, ndërsa qeveria thotë se do të përdorë edhe gjysmën e të ardhurave "nga të gjitha privatizimet e rëndësime", pra, paratë nga shitja e "Albtelecom".
Për këtë vit, qeveria kishte vendosur një fond rezervë të pazakontë prej 10.4 miliardë lekësh, rreth 84 milionë eurosh, kryesisht për ta përdorur pikërisht për tunelin e Kalimashit. Ky është, gjithashtu, fondi që u desh të përdorej për të përballuar pasojat e katastrofës së Gërdecit.
Qeveria shqiptare kishte një hapësirë për huamarrje me terma tregtare prej jo më shumë se 690 milionë eurosh deri në vitin 2009 dhe e ka shfrytëzuar këtë hapësirë sakaq totalisht.
Paratë për importe
Në vlerësimin e tyre, ekspertët e FMN-së thonë se ky investim nuk do të sjellë ndonjë përfitim të dukshëm për shqiptarët, kryesisht për shkak se rreth 80% e parave të përdorura janë për mallra dhe shërbime importi. Projekti do të sjellë rritje të fortë të deficitit buxhetor dhe deficitit tregtar. Deficiti buxhetor do të rritet në rreth 8% të PBB-së këtë vit, ose në rreth 700 milionë euro. Sipas vlerësimeve, Shqipëria duhet të ketë një deficit buxhetor në masën 4% të PBB-së ose dy herë më pak. Edhe përfitimi ekonomik dhe leverdishmëria ekonomike nga ndërtimi i kësaj rruge është i dyshimtë. Shqipëria dhe Kosova kanë një volum tregtar vjetor prej vetëm 30 milionë euro, shifër e pamjaftueshme për të justifikuar një investim prej gati 600 milionë eurosh.