E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri rrezikon 50 banorët e pallatit

Flakët e zjarrit rrezikuan dje më tepër se 50 persona, banorë të një pallati 15-katësh në rrugën e Kavajës në Tiranë. 

Dashamir Biçaku

Një grua dhe një burrë kanë mbetur të dëmtuar lehtë, për shkak të asfiksisë së shkaktuar nga tymi, që u shpërnda në pallat çka vështirësoi frymëmarrjen e banorëve të bllokuar brenda objektit. Pas ndihmës mjekësore që morën në spital, të dëmtuarit kanë dalë nga gjendja e rrezikut. Shkak i zjarrit, sipas burimeve të policisë ka qenë riparimi nëpërmjet saldimit i një gjeneratori, që mbahej në bodrumin e pallatit. Edhe pas evakuimit të banorëve të mbetur dhe shuarjes së zjarrit, rreziku ka qenë i pranishëm në zonë. Në një prej bodrumeve të pallateve, ku edhe kishte rënë zjarri, është vendosur një depozitë karburanti prej 4 mijë litrash me naftë, e cila ka rrezikuar të shpërthejë nga momenti në moment si pasojë e përhapjes së flakëve dhe nxehtësisë. Banorët janë evakuuar fillimisht nga policia e zjarrfikësit, ndërsa rreth 8 persona janë evakuuar nga efektivët e repartit RENEA, të cilët kanë hyrë në pallat, pavarësisht kushteve të mungesës së ajrimit. Këta të fundit janë ndihmuar edhe nga prania e një skele, që është ndodhur aty pranë për të transportuar të moshuarit dhe fëmijët e gratë që kishin mbetur të bllokuar brenda në pallat nën kërcënimin e flakëve dhe asfiksimit nga tymi. Pas shuarjes së zjarrit, policia ka shoqëruar në Komisariatin nr.3, më tepër se 12 persona punonjës të firmës, “Termo Impianti” sh.p.k. Nga hetimet paraprake, inxhinieri teknik i kësaj firme si dhe një punëtor, që kanë qenë duke punuar pranë gjeneratorëve dhe tubave të aspirimit të kondicionerëve, janë dërguar nga policia për ndjekje penale në gjendje të lirë në prokurori.
Alarmi nga zjarri
Zjarri është lajmëruar paraditen e djeshme rreth orës 9:30, kur në drejtorinë e policisë dhe në zyrat e zjarrfikëseve, kanë mbërritur telefonatat e para që kërkonin ndihmë. “Ka rënë zjarr në pallat dhe po na rrethon tymi”, kanë qenë fjalët e të telefonuesve. Policia dhe zjarrfikëset kanë mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes, në rrugën e Kavajës, jo shumë larg qendrës kryesore të Shërbimit të zjarrfikëseve. Shkëndijat e para të zjarrit, sipas burimeve të policisë kanë rënë në bodrumin e pallateve, të ndërtuara njëri pas tjetrit, duke mos lënë asnjë mundësi që të hynin zjarrfikëset, mjetet e policisë apo shërbimet e emergjencës. Policia dhe efektivët e zjarrfikëseve, kanë mundur të futen me shumë vështirësi në brendësi të bodrumeve nga vinte tymi. Një pjesë e zjarrfikëseve janë angazhuar për të evakuuar banorët, ndërsa të tjerë kanë arritur të futen në bodrumin e rrethuar me beton nga të gjithë krahët. Që prej kohës së alarmit të dhënë, deri në shuarjen e tij rreth orës 10:10, tymi dhe bloza e shkaktuar nga zjarri në bodrum kishin mbërritur deri në katin e gjashtë të pallatit. Shumë prej banorëve kanë mbetur të izoluar, duke qenë se nuk mundeshin të lëviznin nga tymi, që kishte pushtuar korridorin e pallatit dhe shkallët. Pas më tepër se gjysmë ore punë të rreth tetë mjeteve zjarrfikës dhe më tepër se 50 efektivëve të saj si dhe 70 punonjësve të policisë së FNSH-së dhe RENEA-s-, zjarri është shuar. Tymi ka vazhduar pavarësisht se zjarri ishte shuar në bodrum. Policia ka pritur derisa ajri në bodrum dhe në pallat është pastruar, ekspertët, hetuesit dhe specialistët e zjarrfikëseve kanë zbritur në bodrum. Ata identifikuan vatrën e zjarrit, e cila ndodhej pranë tre gjeneratorëve në bllokun e tubave të aspirimit të kondicionerëve. Pak metra më tej, ndodhej edhe depozita 4 mijë litërshe me naftë,  që shërbente për të furnizuar gjeneratorët me karburant, e cila ka rrezikuar të aktivizohet në flakë, por që sipas policisë ka qenë e izoluar. Hetuesit gjetën pranë vatrës së zjarrit, një disk guri fresibël, si dhe disa elektroda që shërbenin për saldim.

“Si e zbrita fëmijën me litar nga kati i gjashtë”

TIRANE - Në ndihmë të policisë së kryeqytetit dhe të shërbimeve të zjarrfikëseve, paraditen e djeshme kanë mbërritur rreth 15 efektivë të RENEA-s, si dhe të repartit FNSH 712, për të shpëtuar dhe evakuuar banorët e mbetur të izoluar në katet e poshtëm të pallatit, ku edhe tymi kishte arritur të depërtonte më shpejt. Pikërisht, efektivët e RENEA-s kanë rrezikuar jetën, duke u futur në brendësi të pallatit përmes tymit dhe flakëve, për të shpëtuar banorët. Një prej tyre, që arriti të shpëtojë një fëmijë rreth 8 vjeç, ka rrëfyer dje për gazetën “Panorama”, sapo zbriti nga pallati, ndërsa përgëzohej nga shokët dhe të afërmit e fëmijës së fëmijës, që kishte shpëtuar si rezultat e zbritjes me litar nga efektivi i RENEA-s.
Ku e gjetët fëmijën?
Ishte i mbyllur në një dhomë në katin e gjashtë. Ishte i traumatizuar dhe kishte shumë frikë. E nxorëm në ballkon dhe që andej e ulëm me litar. Na u desh më pak se dy minuta në fakt deri sa e ulëm. Kur e mora djalin në krahë, më duket se quhej Renato, dukej se ishte i frikësuar dhe ishte e vështirë ta mbaje, sepse unë duhej të mbahesha, me një dorë në litar dhe një dorë pranë shpinës. E ndjeja që kishte kaluar në panik nga flakët, pasi kur u shtrëngua pas meje dëgjova t’i rrihte zemra fort.
I thashë të shtrëngohej rreth qafës time dhe të mos kishte frikë, por herë pas here më duhej ta tërhiqja pas vetes, sepse nuk mbahej dot dhe kishte frikë. Kisha vështirësi në zbritje se kishte ballkone dhe krijoheshin hapësira boshe. Duart më digjnin flakë, nga litari që duhej ta shtrëngoja fort, por s’kisha ç‘të bëja, duhej të zbrisja fëmijën.
Veç fëmijës a ndihmuat persona të tjerë?
Po, gjetëm edhe disa persona të tjerë, nuk e mbaj mend sa ishin. Di që ishin tre pleq, një grua dhe një vajzë. Ata i gjetëm në një dhomë, ku ishin mbyllur dhe mezi po qëndronin. Tymi kishte arritur të depërtonte në shtëpi. U futëm brenda, hapëm dritaren nga ku mund të vinte pak ajër. Shokët e mi morën dy pleq dhe unë një grua të moshuar dhe i nxorëm, nëpër shkallë duke iu vënë nga një peshqir të lagur në kokë. I nxorëm në një ballkon dhe më pas që andej të gjithë së bashku edhe me efektivët e tjerë të policisë, arritëm t’i ulnim për fat tek ajo skela e pallatit që është duke u ndërtuar.
Si hytë në pallat?
Kishim marrë me vete në fakt pajisjet alpiniste dhe përdorëm një palë shkallë, që i kishim me vete. Thyem një xham në pallatin përballë dhe që aty më pas kaluam në anën tjetër, ndërsa më parë ishim ndarë në dy grupe. U futëm thuajse barkas shkallëve të pallatit, dhe po kontrollonim me duar që të mos gjenim ndonjë të mbetur apo të asfiksuar në pallat. U siguruam që nuk kishte dhe më pas nisëm të kontrollonim nëpër shtëpi për njerëz që mund të kishin mbetur. Mund t’i kishim nxjerrë më shpejt, por largësia e vendndodhjes tonë na kushtëzon kohën.                          d.b

Deputeti i PD
Deputeti i Partisë Demokratike Fatos Hoxha, ka reaguar dje në Parlament lidhur me zjarrin që ra tek pallati 15-katësh në rrugën e Kavajës. Ai tha se policia dhe zjarrfikëset patën vështirësi serioze të ndërhynin për të shpëtuar jetën e njerëzve për shkak të mungesës së hapësirës mes pallateve. Sipas deputetit të PD-së, kjo është një përgjegjësi direkte e Kryetarit të Bashkisë Edi Rama. Deputeti Hoxha i kërkoi Kryeprokurores Ina Rama të hetojë këtë abuzim të Bashkisë së Tiranës.

12 shoqërime
Policia tha se ka shoqëruar në komisariat 12 persona të dyshuar për shkaktimin e zjarrit, si dhe për të marrë deklarime prej tyre mbi rrethanat, në të cilat ka ndodhur ngjarja. Specialistët e zyrës së hetimit krimeve të shkatërrimit të pronës dhe grabitjeve, kanë dërguar për ndjekje në gjendje të lirë penale dy persona. Ata akuzohen nga policia për shkelje të rregullave të sigurimit teknik, dhe shkatërrimit të pronës me zjarr nga pakujdesia. 

Ndërhyrja
Për të shuar zjarrin e rënë paraditen e djeshme në pallatin 15-katësh tek rruga e Kavajës në Tiranë, janë angazhuar shtatë mjete zjarrfikëse, dhe më tepër se 10 mjete të tjera të policisë, të FNSH dhe RENEA-s. Në këto mjete, në total janë angazhuar 80 njerëz, 25 të shërbimit zjarrfikës, forca të RENEA-s, të komisariateve 2 e 3 si dhe të repartit FNSH 712. Mjetet e ndërhyrjes patën vështirësi në lëvizje dhe manovrim për shkak të hapësirës së ngushtë mes pallateve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›