E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nipi i Karaxhiç rrëfen si e ndihmoi, shfaqet “sozia”

Radovan Karaxhiç ka vjedhur imazhin e një mësuesi të vërtetë të mjekësisë alternative në Serbi, 78-vjeçarit Petar Glumaç, në fshatin verilindor të Serbisë, Novo Selo të njohur si Xhaxha Pera. 

“Radovan vodhi imazhin dhe energjinë time. Unë nuk kam asnjë lidhje me të. Ai ka dalë në televizion dhe po ashtu edhe unë për shkak të punës sime, ju duhet ta pyesni pse më ka kopjuar pamjen”, tha Glumaç. Pamja e tyre është aq e ngjashme sa miqtë e Xhaxha Perës e kishin marrë atë në telefon për ta pyetur nëse ishte mirë, dhe pse fotoja e tij ishte në televizion si imazhi i Karaxhiç.
Në pritje të apelit
Avokati i Radovan Karaxhiç tha se, ai priste që klienti i tij të ekstradohej në Hagë përpara të martës në mbrëmje, ku priten edhe protestat e forta anti-qeveritare nga ultranacionalistët në mbështetje të tij. Ka frikë se në Beograd do të shpërthejë dhunë nga ata, që do të përpiqen të pengojnë ekstradimin e Karaxhiç me forcë. Sipas Gjykatës së Krimeve të Luftës në Beograd, apeli kundër ekstradimit të liderit serb të Bosnjës nuk ka mbërritur ende në Institucion. Autoritetet kanë pyetur dhe janë interesuar për dorëzimet në të gjithë pikat postare, por nuk ka asnjë informacion mbi ankesën e avokatit. Svetozar Vujaciç, avokati, tha si e kishte postuar apelin në momentin më të fundit për të fituar kohë për ekstradimin e Karaxhiç në Hagë. “Karaxhiç është një qytetar serbo-boshnjak, kështu do të ishte logjike që apeli të vinte me postë nga Bosnja”, tha Vujaciç dje, duke ironizuar dhe nuk do të çuditej nëse apeli bëhej me mjekër e mustaqe deri sa të mbërrinte.  
Ekstradim i fshehtë
Transferimi i Radovan Karaxhiç në Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë do të bëhet i mbuluar dhe duke evituar praninë e mediave dhe protestat e ultranacionalistëve. Karaxhiç përballet me 11 akuza gjenocidi gjatë periudhës 1992-1995 në luftën e Bosnjës. Pasi u arrestua pas 13 vitesh kërkimi ndërkombëtar, ai ndodhet në një burg të Beogradit në pritje të ekstradimit. Shërbimet sekrete serbe kanë komentuar se ka dhjetëra mënyra për ta zhvendosur atë në mënyrë të rezervuar, me makina të maskuara, me dalje sekrete, me transferime në agim dhe autokolona false për të tërhequr vëmendjen e televizioneve, derisa ta nxirrnin atë nga burgu, gjykata dhe aeroporti. “Vetëm 10 njerëz në Serbi e dinë ekzaktësisht se çfarë do të ndodhë”, tha një zyrtar i lartë qeverie në serbi për agjencinë “Reuters”. Një tjetër tha se do të jetë një spektakël publik. Karaxhiç akuzohet për masakrën e Srebrenicës, ku u vranë 8 000 myslimanë boshnjakë dhe sulmin 43 mujor të Sarajevës, ku rreth 11 000 njerëz vdiqën nga plumbat, sëmundjet dhe mungesa e ushqimit. Dihet shumë pak për jetën sekrete të Karaxhiç gjatë viteve të para. Reporterë me lajme të pakonfirmuara flisnin për priftërinj ortodoksë, që e kanë fshehur në manastire të largëta, një jetë sekrete e mbrojtur nga ultranacionalistët në ushtri dhe polici.
Rrëfimi i nipit
Misteri rreth identifikimit dhe kapjes së Dragan Dabiç si Radovan Karaxhiç është rritur, pasi është zbuluar se nga miqtë dhe familja e tij i vetmi, që e dinte identitetin e vërtetë të të shumëkërkuarit ishte nipi i tij, Dragan Karaxhiç. “Unë isha i vetmi person që e lidhja me familjen dhe me botën jashtë”, tha nipi i tij, duke marrë konfirmimin edhe nga avokati i Radovanit, Svetozar Vujaciç. Dragan Karaxhiç tha se ai e kishte takuar rregullisht xhaxhain e tij, e kishte ndihmuar për të marrë me qira apartamente të ndryshme gjatë gjashtë muajve të fundit dhe e kishte ndihmuar edhe me pajisjet, që mund t’i duheshin gjatë kësaj kohe. “Unë nuk kam frikë për pasojat. Për mua ai nuk është një i kërkuar, por është xhaxhai im”, tha nipi i Radovan Karaxhiç. Avokati i Karaxhiç, Vujaciç e konfirmoi këtë lajm por konfirmoi për më tepër edhe se prifti i Kishës Ortodokse serbe, Amfilohije Radoviç, e kishte vizituar Karaxhiçin në burg. Ky lajm nuk është mirëpritur nga qeveria prodemokratike serbe edhe presidenti Boris Tadiç, të cilët po përpiqen të evitojnë që Karaxhiç të kthehet në një motiv për ultranacionalistët. Për të kapur Karaxhiçin janë angazhuar mbi 50 agjentë të shërbimeve sekrete serbe, përveç atyre ndërkombëtare, kryesisht britanikë e amerikanë. 

Protesta masive anti-Tadiç

Sot janë planifikuar protesta masive në mbrojtje të Karaxhiç dhe kundër ekstradimit të tij në Hagë, të organizuara nga ultranacionalistët. Shumë prej tyre e shikojnë Karaxhiçin si hero të sulmuar nga propaganda antiserbe. Qeveria e re pro evropiane kërkon ta transferojë atë sa më shpejt në Hagë për të evituar tensionin dhe protestat. Por afati varet edhe nga avokati i Karaxhiç. Vëllai i Karaxhiç, Luka, është parë të hyjë në burgun e tij me dy kostume, një të çelët, një të errët. “I duhen për në Hagë”, tha Vujaciç duke shtuar “ai do të shkojë patjetër në Hagë, çështja është se kur. Zv/kryetari i Partisë Radikale Serbe (SRS), Tomisllav Nikoliç ka paralajmëruar se protestat kundër arrestimit të Karaxhiç do të jenë “për ruajtjen e demokracisë, kundër diktaturës, që ka krijuar Boris Tadiç”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›