E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkeljet në dosjet e vrasjeve, shkarkohet prokurorja e Sarandës

TIRANE – Shkarkohet nga detyra prokurorja e Sarandës Rita Gjati, e gjetur me shkelje në detyrën e saj nga kontrollet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. 

Presidenti Bamir Topi, me propozim të Kryeprokurores Ina Rama ka firmosur dje dekretin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Sarandës, Rita Gjati. Sipas dekretit presidencial, shkarkimi i prokurores hyn në fuqi menjëherë pas firmosjes nga kreu i shtetit. Para se kreu i shtetit të firmoste dekretin, në Presidencë kishte mbërritur një propozim nga Prokuroja e Përgjithshme Ina Rama, e cila ka kërkuar shkarkimin e Rita Gjatit, për shkak të shkeljeve të gjetura në punën e saj. Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi ushtroi një kontroll në prokurorinë e këtij qyteti zbuloi shkelje në dosjet penale të hetuara prej prokurores së shkarkuar dhe menjëherë ia paraqiti raportin kryeprokurores. Kjo e fundit pasi u njoh me materialin, e kaloi atë sipas ligjit në Këshillin e Prokurorisë, duke kërkuar vlerësimin e shkeljeve të prokurores së Sarandës. Këshilli i Prokurorisë pasi analizoi shkeljet, i propozoi Prokurores së Përgjithshme masën e shkarkimit nga detyra për Rita Gjatin, çka u la në fuqi nga Kryeprokurorja, e cila propozoi në Presidencë dekretimin e shkarkimit nga detyra të prokurores së Sarandës. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, në punën e Rita Gjatit, “kontrolli evidentoi shkelje të ligjit procedural e atij material në disa procedime penale, më të theksuara këto në procedimet e ndjekura nga prokurorja Rita Gjati”. Bëhet fjalë për masat e sigurimit të personave të arrestuar, kualifikimin e veprave penale nga vrasje në vetëvrasje, shkeljen e afateve ligjore të hetimit të dosjeve dhe dhënien e masave të dënimit përkundër parashikimeve të ligjit.          tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›