E Diel, 1 Nëntor 2026

Klubet e futbollit mohojnë marëveshjet midis tyre

Irgis Hysenaj
Klubi i Dinamos zgjodhi që në ndeshjen kundër Vllaznisë të dilte në fushë me formacionin e të rinjve, duke i dhënë mundësi kundërshtarëve të fitonin, por mbi të gjithë duke treguar se për ta ky kompeticion nuk përbën aspak rëndësi. Kështu, duket se për Federatën Shqipëtare të Futbollit ka dalë një problem i ri, që i bashkohet atyre të shumtëve, që kanë prekur sportin më popullor të vendit. Riforcimi i vlerave, për Kupën e Shqipërisë, e cila edhe pse është e dyta në listë, për nga rëndësia, nëse do të vazhdojë të neglizhohet, do të bëjë që pazaret dhe trukimet në futbollin shqiptar të vazhdojnë të funksionojnë. Në Federatën Shqiptare të futbollit, edhe pse ky fenomen të bën të dyshosh, nuk mund të bëhet asgjë. Kjo për faktin se në bazë të rregullores, nuk u bë asnjë shkelje. Sipas zëdhënësit ëpr shtyp, Lysjen Nurishmi, "institucioni numër një i futbollit shqiptar, nuk mund të ndërhyjë në punët e klubeve, pasi nuk është në të drejtën e tij ta bëjë këtë gjë. Duhet thënë se kjo tregon një shembull të mirë të pavarësisë së klubeve, por një fenemon të keq për sa i përket pamundësisë për të parandaluar "pazaret" që bëhen në dëm të futbollit në vend. Rasti i fundit është një shembull i mirë për të menduar se kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në vend mund edhe të jetë përdorur nga disa klube, me qëllim për të arritur tek një tjetër trofe i madh.. Ky mund të jetë kampionati, ose pjesëmarrja në aktivitetet evropiane( edhe pse alternativa e dytë mbetet pezull). Në lidhje me këto akuza nga ana e të dy klubeve ka pasur reagime, për të treguar paanësinë dhe mospërfshirjen në të tilla afera. Presidenti i klubit shkodran Valter Fushaj deklaroi se ai "nuk ka asnjë lidhje me këto hamendësime të medias për ndeshjen me Dinamon. Ne fituam takimin. Nuk ka asnjë kompromis midis nesh. Dinamo nuk dëshiroi të kualifikohej, nuk donte të rrezikohej. Ndoshta, në Shkodër mund të dilte e dëmtuar me lojtarët." Ndërsa, trajneri i Dinamos Ilir Daja e justifikoi formacionin hedhur ën fushë në ndeshjen e së martës me faktin se "vendosi që të luajë me ekipin e të rinjve, pasi kishte lojtarë të dëmtuar, të cilët nuk mund që hidheshin në fushën e lojës". Megjithatë ka edhe një alternativë, tjetër, që duket më e besueshme nisur nga fakti që hapi parë duket i realizuar. Vllaznia ka vendosur që të tolerojë në kampionat, me qëllim që të ketë sukses në Kupën e Shqipërisë. Humbja e pësuar nga Shkumbini në Peqin (3-0), mund të jetë rregulluar në mënyrë të tillë, që dinamovitët në përballjen direkte me peqinasit, ti kenë të siguruara tre pikë, plus tre të tjera me Vllazninë. Një ndihmë me të vërtetë e madhe në luftën për titull, teksa diferenca me rivalët e Partizanit është vetëm dy pikë. Nga ana tjetër, kuqeblutë përfituan finalen e Kupës, pas fitores 4-0 me "Dinamon e vogël". Megjithatë, për të ndalur të tilla fenomene, Federata Shqiptare e Futbollit nuk mund të marrë masa, pasi sipas tyre nuk vendos dot për zgjedhjen e formacionit të klubeve. Por ndoshta ky fenomen nuk do të ekzistonte, nëse Kupa e Shqipërisë do të kishte të tjera vlera.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›