E Diel, 1 Nëntor 2026

Klubi Kombëtar: Berisha të shkarkojë Kserën

Klubi Kombëtar Shqiptar, një organizatë me karakter patriotik, ka reaguar ashpër ndaj prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera, i cili ka qenë i pranishëm në përkujtimin e "protokollit të Korfuzit" në Konicë të Greqisë. Klubi Kombëtar e konsideron këtë akt si "provokimin e radhës që shovinizmi grek i ka bërë pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë". Në një deklaratë të publikuar nga kjo organizatë, kërkohet nga Kryeministri, që në pajtim me ligjet në fuqi, të shkarkojë prefektin e Gjirokastrës nga detyra, dhe nga Prokurorja e Përgjithshme të nisë ndjekjen për shkelje të Kushtetutës. "Incidenti në Konicë nuk është tjetër veçse rasti më i fundit i një sërë implikimesh të zyrtarëve shqiptarë në veprimtari antikombëtare dhe antikushtetuese. Për këtë arsye i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të ngrejë një komision hetimor për verifikimin e kësaj dukurie dhe të nxjerrë në pah dëmin që i kanë sjellë Shqipërisë këta zyrtarë, duke abuzuar me mandatin dhe besimin që u kanë dhënë qytetarët shqiptarë", thuhet në deklaratë, ndërsa i bëhet thirrje Presidentit të Republikës që të veprojë në mbrojtje të Kushtetutës, parimi bazë i së cilës, ai i mosndarjes dhe mosshbërjes së shtetit u shkel nga nëpunësi i shtetit shqiptar. Klubi Kombëtar, nisur nga objektivi i tij për forcimin e identitetit dhe ndjenjave kombëtare shqiptare, u bën thirrje faktorëve politikë, shoqërisë civile dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që të organizohen dhe të punojnë me të gjitha mënyrat civile dhe demokratike për të kundërshtuar veprimtarinë antikombëtare që po ndodh brenda shtetit shqiptar nga individë të korruptuar moralisht dhe materialisht, që u shërbejnë interesave të shovinistëve, që historikisht kanë vepruar në dëm të kombit dhe shtetit shqiptar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›