E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trakte në Elbasan: Lindi Partia Naziste Shqiptare

Në Shqipëri është krijuar Partia Naziste. Partia e re, që për shkak të ligjeve shqiptare nuk do të mund të regjistrohet kurrë si gjithë partitë e tjera, ka nisur dje fushatën promovuese nga qyteti i Elbasanit. Qyteti në kërthizë të Shqipërisë është gdhirë dje i mbushur me trakte me mbishkrimin "Partia Naziste e Shqipërisë", që shpallnin krijimin e formacionit të ri politik, që në prezantimin e parë vë theksin tek armiqësia me grekët dhe sllavët. Qindra fletushka janë shpërndarë nëpër kryqëzime rrugësh, dyer institucionesh dhe kioskash pranë qendrës. Edhe pse me pamje goditëse, traktet janë trajtuar me indiferencë nga pjesa më e madhe e qytetarëve, por grupe të veçanta i kanë dhënë rëndësi lajmit, që është bërë shpejt objekt bisede në tavolina kafenesh, ku rrinë më të ngeshmit. Sipas shumë qytetarëve, traktet janë hedhur në të aguar të ditës së djeshme dhe kanë pasur si qëllim shpërndarjen e tyre nëpër vende publike e dyer institucionesh. Trakti, që nga cilësia e dobët e shtypit duket se është i fotokopjuar, është në formën e një minireviste bardhë e zi, me pesë faqe në format A-4. Në faqen e parë dhe të fundit janë vendosur simbolet e nazizmit: kryqet e thyer dhe portreti i Adolf Hitlerit. Svastika (kryqi i thyer i nazistëve) ndodhet gjithashtu në fundin e çdo faqeje. Në faqen e parë është shkruar me germa të mëdha PARTIA NAZISTE SHQIPTARE, ndërsa poshtë, mbi një foto të tre flamujve me simbolin nazist shkruhet "Vetëm Hitler". Në fund të këtij montazhi të kopertinës së faqes së parë shënohet "Linddita A.E". "Ne luftojmë për shpirtin dhe për zemrën e popullit shqiptar. Mos harroni dy armiqtë e popullit shqiptar, sllavët dhe grekët", është thirrja që kjo parti bën nëpërmjet faqes së dytë të këtij trakti. Dhe më pas, nën okelion "Ja një biografi e shkurtër e njërit që tmerroi botën", jepet biografia e plotë e Adolf Hitlerit. Faqja përmbyllëse e traktit në fjalë përmban të montuar foton e Hitlerit, me veshjen e tij me uniformë ushtarake naziste me në sfond kullën "Eiffel". Ky montazh duket se është marrë nga një libër për udhëheqësin nazist, pasi është harruar të fshihet numri përkatës i faqes që shënon "49". Ndërsa mbi këtë fotomontazh, në krye shënohet gjithashtu "Intervista sekrete". Stili i gjuhës së shprehur dhe të shkruar është një alternim i toskërishtes me gegërishten, plot gabime gramatikore, që tregojnë për një nivel të ulët formimi të personit apo personave që kanë përgatitur tekstin.

Policia

"Vepër e një adoleshenti,

ose e disa të tillëve"

Policia e Elbasanit ka nisur menjëherë hetimet rreth shpërndarjes së trakteve naziste në Elbasan. Sipas shefit të komisariatit të qytetit, Gjelosh Prendi, specialistët e policisë do të merren imtësisht me këtë lloj trakti, por hamendësimet e para sipas tij të çojnë te ndonjë adoleshent i pasionuar pas eksplorimit në internet, apo te ndonjë grup ekstremistësh që mund t‘i përkasin ndonjë grupmoshe tjetër. Burime nga policia bënë të ditur gjithashtu se është shumë e vështirë të gjenden autorët e këtyre trakteve, pasi çdokush që ka një kompjuter dhe një printer mund të bëjë diçka të tillë. Për policinë ka më shumë gjasa që gjithçka të jetë një lojë fëmijësh, por fakti që shtypja e atyre trakteve ka një kosto të konsiderueshme, bën që hetimet të merren me seriozitet. Përmbajtja e traktit është antikushtetuese, pasi pavarësisht se nuk ka thirrje direkte, në brendësi të tij gjen doza të forta të urrejtjes.

Forca Albania, formacioni politik që propagandon idetë e ekstremit të djathtë

Një parti fashiste vepron

prej tetë vjetësh në Tiranë

Një parti që bazohet në idetë fashiste është regjistruar në Gjykatën e Tiranës në vitin 2000. Partia Forca Albania, që feston më 8 qershor 2008 përvjetorin e tetë të themelimit, propagandon ide të karakterit fashist, si ndalimi i martesave mes racave të ndryshme, dënimi me ligj i homoseksualëve, dënimi i rreptë i prostitucionit dhe orgjisë. "Shqiptarët janë nacionalistë, kanë të shenjtë nderin dhe familjen. Për shqiptarët martesat jashtë komunitetit janë të papranueshme, ndërkohë që përbuzet orgjia dhe homoseksualiteti", deklaronte kryetari i Forca Albania-s, Iladin Pillati, i cituar nga gazeta "Dita" në një artikull të botuar më 17 shkurt 2003. Pillati sqaronte se të gjitha këto janë parime të një të djathte ekstreme dhe përderisa mentaliteti shqiptar u qëndron këtyre parimeve, atëherë në Shqipëri duhet të ekzistojë edhe një forcë politike që i mbështet ato. Gazeta citon më tej kryetarin e Forca Albania-s, që thotë: "Nuk mund të them se jemi fashistë, sepse kjo është e paligjshme, por mund të them se parimet që janë vendosur në themel të programit të partisë sonë përafrojnë me ato të partive fashiste". Sa i përket politikës së jashtme, partia që imiton hapur ish-partinë e Silvio Berluskonit, Forca Italia, ka ide edhe më të guximshme, si kalimi i Shqipërisë nën një protektorat ndërkombëtar që do të drejtohet nga Italia.

Duke e konsideruar Forca Albania-n si një formacion të italianofilëve, kryetari Iledin Pillati thotë se atë që Amerika e bëri në vitin 1999 për shqiptarët, Italia e bëri në vitin 1939. Partia në fjalë ka në program edhe një tjetër pikë interesante sa i përket politikës së jashtme. Sipas Forca Albania-s, Shqipëria nuk duhet të ketë marrëdhënie me fqinjët e saj tokësorë Greqinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. "Jemi me fat që kemi kaq pranë një vend kaq të fuqishëm perëndimor si Italia. Ajo është porta jonë për në Evropë", shprehej kryetari i FA, Iladin Pillati.

Partia Forca Albania ka marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara që nga viti 2000, por numri i votave që ka marrë ka qenë edhe më i vogël se numri i anëtarëve të saj.

KUSHTETUTA

Ligji themeltar ndalon nxitjen apo përkrahjen e urrejtjes racore, fetare, krahinore ose etnike

Nenet që ndalojnë partitë me karakter fashist

Neni 9

1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike.

2. Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit.

3. Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike.

Neni 46

1. Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm.

2. Regjistrimi në gjykatë i organizatave ose i shoqatave bëhet sipas procedurës së parashikuar me ligj.

3. Organizatat ose shoqatat që ndjekin qëllime antikushtetuese janë të ndaluara sipas ligjit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›