Kmomisariatet, nisin ndryshimet

14/03/2005 Kupola e policisë së shtetit studion kandidaturat që do të emërohen në krye të komisariateve 5 dhe 6. Burime zyrtare nga ky dikaster shprehen se nuk janë vendosur ende shefat e strukturave më të reja të policisë në qarkun e Tiranës. Mësohet se janë marrë nën shqyrtim dosjet e disa oficerë të suksesshëm me karrierë të gjatë në rradhët e bluve, dy prej të cilëve do të drejtonë komisariatet e shtuara. Por, deri më tash, nuk konfirmohet asnjë emërim. Momentalisht, detyrën e kreut të komisariatit të Kamzës dhe Kombinatit, po e kryejnë shefat e mëparshëm të rajonit dhe postës. Të njëjtat burime saktësojnë se me krijimin e dy komisariateve të reja pretendohet që policia të bëhet më koherente me problemet që has komuniteti si dhe efikasitetin në ndërhyrje. Veça kësaj, komisariatet e mëparshme që kanë patur dinamikë të larmishme ngjarjesh në sasi të madhe do të lehtësohen disi nga shpërndarja e punës tek simotrat e posakrijuara. Nuk përjashtohet mundësia që vendet të mbeten bosh deri në kthimin nga trajnimi në SHBA të një numri të konsiderueshëm oficerësh, të cilët po ndjekin një kurs të FBI-së. Vendet e lëna vakant prej tyre po mbahen nga oficerët në shkallë hierarkike më të ulët, si përshembull në komisariatin 1, ku po trajnohet shefi i krimeve dhe në atë me numër 2 dhe qarkullimi rrugor ku është larguar drejt Amerikës kreu i komisariatit. Vijon të mbetet i paemëruar shefi i krimeve të komisariatit nr 4. pas pezullimit nga detyra të Artan Cukut, pas ngjarjes së 25 shkurtit, kur u vetvra Agim Daka, postin e tij e ka marrë një nga inspektorët e antikrimit. Por, ai është i komanduar, në pritje të mbërritjes së një eprori të ri, apo qoftë dhe të tijin përfundimisht. Nuk përjashtohet mundësia që eksperienca e ndarjes së zonave të Tiranës në 6 komisariate të përsëritet dhe në qarqet e tjera të vendit. Mësohet që është planifikuar krijimi i strukturave të reja në qarqet me hapësirë të madhe territoriale. E megjithatë, "pagëzimi" i tyre do të bëhet me kalimin e kohës, pasi problematika që paraqet krijimi i stafit kërkon shumë kohë dhe mund.