E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prioritet zgjidhja e problemeve në zonën e Plazhit

14-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati demokrat për bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj takohet me banorët e zonës së Plazhit

“Gati projekti me vlerë 10 milionë euro për sistemimin e kanalizimeve. Përparësi do të marrë edhe ndërtimi i plazhit publik”. Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, për kreun e Bashkisë së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, i shoqëruar edhe nga deputeti Eduard Halimi, zhvilloi një takim me banorët e zonës së Plazhit, përkatësisht të Ilirisë dhe Plepave.
Duke u ndalur në prezantimin e kandidatit të mazhorancës për kryetar bashkie të qytetit, deputeti Halimi tha se kandidati Xhaferaj ishte njeriu i duhur për Durrësin , jo vetëm për cilësitë e tij si njeri dhe politikan, por se detyra e tij e mëparshme si Ministër edhe i Turizmit e kishte bërë të njihte problemet me të cilat përballet kjo pjesë e Durrësit dhe të bënte përpjekjet maksimale për zgjidhjen e tyre.
Nga ana e tij kandidati i koalicionit të mazhorancës, Ferdinand Xhaferaj evidentoi tri problemet kryesore të zonës së Plazhit, duke thënë njëkohësisht se një nga prioritetet e programit të tij si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit, do jetë kthimi i Plazhit te qytetarët.
Privatizimi i kabinave të plazhit, rregullimi i sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ndërtimi i një plazhi publik do të ishin tri problemet kryesore të cilat sipas kandidatit Xhaferaj do të kishin vëmendjen e tij të menjëhershme pas 8 majit.
Problemet e zonës së Plazhit
Duke ju referuar problemit të kanalizimeve, Xhaferaj tha se ka nisur të implementohet projekti me vlerën 10 milionë euro, i cili parashikon rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve duke filluar nga zona e quajtur Përroi i Agait e deri tek Ura e Dajlanit, si edhe shumë shpejt do të përfundojnë edhe punimet për impiantin e përpunimit të ujërave të zeza në zonën e ish Kënetës.
Gjithashtu Xhaferaj tha se referuar problemit të privatizimit të banesave, shumë shpejt 462 familje, nëpërmjet një vendimi të qeverisë, do të kenë mundësi të bëhen pronarë të banesave ku jetojnë.
Të tjera probleme, për të cilat Xhaferaj shprehu se do të kishin vëmendjen e tij të plotë pas zgjedhjeve të 8 majit,  ishin ndërtimi i hapësirave të gjelbra në zonën e Plazhit, pastrimi i ambienteve dhe krijimi i kushteve të favorshme për zhvillimin e mëtejshëm të  turizmit në këtë zonë.
Duke folur për kryetarin aktual të bashkisë së Durrësit dhe rivalin e tij në këtë garë elektorale, Xhaferaj u shpreh se Dako në katër vjet ka parë vetëm interesat e biznesit të tij dhe se duke përfituar nga vota e qytetarëve, e ka kthyer qytetin dhe zonën e Plazhit në pronë tijën, prej së cilës nxjerr fitime marramendëse, të cilat shkojnë në xhepin e tij dhe jo në shërbim të qytetarëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›