E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëse stë pëlqen, vrite

Nga Skënder LIMANI 
Po e shohim se çfarë ofensivash ushtarake po ndërmerr presidenti amerikan Barak Obama kundër Talebanëve të pafajshëm në Afganistan. Në të vërtet, faji i tyre i vetëm është pse ata ekzistojnë, andaj, pse ekzistojnë, ata mund të votojnë, e pse mund të votojnë ata mund ta marrin pushtetin në mënyrën më demokratike të mundshme. Ashtu siç e kanë marr gjithmonë. Por, amerikanët, për shkak të hesapeve të tyre politike, nuk i duan Talebanët në pushtet. E mënyra më e mirë që ata të mos jenë në pushtet, pra, të mos votojnë, është që të mos ekzistojnë. Sali Berisha dhe Partia e tij Demokratike i humbi zgjedhjet në Shqipëri, cilido që të jetë rezultati përfundimtar. Në vitin 2005, Sali Berisha erdhi në pushtet, bashkë me Bamir Topin, përmes votave të të majtëve (Fatos Nano dhe disa të tjerë). Kështu, Sali Berisha dhe partia e tij, që tash po udhëhiqet nga disa të ri kogja ambiciozë për pushtet, pati rrumbullak katër vjet kohë që të punoj dhe të siguroj së paku 74 vota në përbërjen e re të parlamentit të vitit 2009. Kjo nuk ndodhi. Për më tepër, Saliu i humbi edhe ato vota që i kishte. Me këtë, Sali Berisha nuk ka legjitimitet as politik e as kombëtar që të jetë kryeministër. Qentë endacakë po vriten nëpër Prishtinë sepse ata po shkaktojnë problem. Komuna e Prishtinës nuk po ka kapacitet menaxhues për të rehabilituar këta qenë andaj ajo po i vret ku po i gjen. Sa kollaj.  
Vështrim
Logjika e tillë, Nëse stë pëlqen, vraje, ka prapavijë ose burim të thellë politik. Ajo nuk fillon me demokratët anekënd botës. Ajo është sëmundje. Është virus ndaj të cilit herdokur duhet të gjendet vaksinë. Është sëmundje e njerëzve që përdorin politikën, gazetarinë, mediat, pra, komunikimin publik, por edhe familjen, që të thonë që ata kanë të drejtë në çdo kohë, në çdo rrethanë dhe në çdo aspekt, ndërsa ne, të tjerët, jemi aty që të marrim mësim nga ta. Këta njerëz nuk e njohin humbjen, nuk e njohin gabimin. Këta njerëz nuk e njohin se nuk e kanë vendin aty ku janë. Këta njerëz janë në gjendje të bëjnë çmos për të mbetur në pushtet. Ashtu sikurse në vitin 1996, edhe sot në vitin 2009, Sali Berisha është i gatshëm të qes pushkë për të mbetur në pushtet. Nuk ka çmim e as kosto për të, as për Obamën e as për Isa Mustafën. Ky soj politik mendon që bota ekziston për ta, ndërsa ne, të tjerët, vetëm gjendemi rastësisht këtejpari. Ne, që mendojmë pak më ndryshe, jemi kërcënim për ta. Por, në fakt, nuk është ashtu. Është e kundërta. Mendimi i kundërt ekziston për plotësim, për ri-mendim, për kreativitet, për një rrugë ose për një mënyrë më shumë. Mendimi ndryshe nënkupton që ka edhe të tjerë që mendojnë e që veprojnë, se ata nuk janë të vetëm, ose se bota nuk u takon vetëm atyre. Për ti mos bërë hile Isa Mustafës, këtu mund të merret edhe shembulli i atyre që e kanë pranuar Dokumentin e Ahtisarit e që sot provojnë kinse të ndërtojnë shtet demokratik në Kosovë, për të gjithë. Kjo nuk vlen vetëm për politikanët, por edhe për disa analistë medialë që vazhdojnë të flasin për mirëqenie të qytetarëve të Kosovës derisa janë ata që kanë promovuar Dokumentin e Ahtisarit. Dua të them, mirëqenia e qytetarit të Kosovës dhe Dokumenti i Ahtisait bien ndesh, ato nuk shkojnë bashkë, janë dy gjëra që e refuzojnë njëri-tjetrin. Mirëqenia e qytetarit të Kosovës del realitet virtual kur ky vend po rregullohet sipas Dokumentit të Ahtisarit. Sjelljet më të fundit të Kuvendit të Kosovës janë ilustrim konkret. Kështu, mirëqenia e qytetarit të Kosovës varet direkt nga vullneti personal i vet qytetarit. Vullneti personal karshi atij të përgjithshëm kombëtar gjithmonë dërgon në eksplodim të situatës. Së fundi, edhe Albin Kurti është soj i tillë. Shembulli kur ministrit për Decentralizim, Sadri Feratit, i shkruhet emri në lopë, ka mundur të vazhdojë me shkrimin e emrit të ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, në kali. Por, Albini nuk e bën këtë veprim sepse Pajaziti nuk është ministër i LDK-së.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›