Romët shqiptarë, padisin Greqinë
STRASBURG - Romët me shtetësi shqiptare, dërgojnë Greqinë në Strasburg. Lajmin e bën të ditur Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, sipas të cilit 16 shtetas shqiptarë me origjinë rome dhe me vendbanim në Greqi kanë paraqitur një ankesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut kundër Greqisë, duke pretenduar se shteti helen ka shkelur disa nene të Konventës Evropiane. Aplikuesit pohojnë se kanë jetuar së bashku me disa familje rome, për më shumë se 10 vjet, deri në qershor të vitit 2007, në një sipërfaqe toke në lagjen Aghiour Polykarpou në zonën e Votanikos, afër qendrës së Athinës. Rehabilitimi i zonës ka bërë që të dëboheshin kundrejt shumës 1000 euro secilit. Që nga ajo kohë, ata kanë mbetur të pastrehë ndërsa kanë humbur të drejtën në gjykatat greke.