E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë figurat që po krijojnë imazhin e fushatës së PD-së

Luftëtarët e vijës së parë të betejës ndërthurin të vjetrën dhe të renë e PD-së. Nga lista prej 140 kandidatësh për deputetë spikasin pesë figurat më të lakuara

Eljona Ballhysa
Mund të quhen “luftëtarët” e vijës së parë të betejës. Janë pesë figurat më të spikatura, të cilët janë angazhuar të mbajnë mbi supe peshën e rëndë të kësaj fushate zgjedhore ku PD-ja futet si një parti me një bilanc qeverisës. Ata janë: numri një i selisë blu, kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili këtë radhë nuk ka preferuar ta centralizojë fushatën vetëm te figura e tij, por ka nxjerrë në fushën e betejës të tjerë “luftëtarë” me të cilët ka pranuar të ndajë frytet e fitores dhe koston e humbjes. E dyta vjen, një ndër emrat kryesorë të PD-së, kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e kësaj partie, Jozefina Topalli, e cila njihet për aftësitë organizative dhe mbështetjen që gëzon nga militantët e PD-së. Ndërsa dy figurat e para duket se përfaqësojnë brezin qëndrestar të PD-së, themeluesit e partisë, tri figurat e tjera, pjesë e imazhit elektoral, i përkasin brezit të rinj, ose siç cilësohen ndryshe, kopistët. Ata u përfshinë për herë të parë në strukturat e PD-së në fushatën elektorale të vitit 2005 dhe kandiduan në zona relativisht të vështira elektorale. Ata arritën të dilnin fitimtarë dhe për këtë arsye u shpërblyen me poste ministrore. Arritën të sillnin një imazh ndryshe të PD-së në 2005-n, duke sjellë një frymë të re dhe me ta po synohet të krijohet imazhi elektoral i PD-së gjatë kësaj fushate elektorale, si një parti që solli një qeverisje cilësore gjatë këtyre katër viteve. Ata janë ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Angazhimi
Kryeministri Berisha, duke mbajtur edhe postin e kryetarit të PD-së, është figura kryesore e kësaj fushate elektorale. Është ai që vuri firmën përfundimtare në listën e kandidatëve për deputetë. Është ai që prezantoi publikisht kandidatët për deputetë. Është ai që ka ndërmarrë prej kohësh një tur elektoral në të gjithë vendin, ku po prezanton pikat kryesore të programit të PD-së. Ndërsa kryeministri Berisha është fokusuar në takime elektorale nga Veriu në Jug të vendit, figurat e tjera të PD-së kryesisht janë fokusuar në qarqet që kandidojnë. Megjithatë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka lejuar vetes të zhvillojë takime përtej qarkut të Shkodrës. Në kuadër edhe të turit “Gratë për gratë”, Topalli ka zhvilluar takime elektorale në të gjitha qytetet e vendit, nga Shkodra, Dibra, Fieri, Lushnja, Elbasani e Tirana.
Ndërsa Basha është fokusuar në qarkun e Elbasanit, ku çdo ditë zhvillon takime me banorë të komunave të këtij qyteti. Ai ka prezantuar kandidatët e tjerë të PD-së për këtë qark. Bumçi tashmë ka marrë në dorë organizimin e fushatës elektorale në Tiranë. Që nga momenti kur mori votat e delegatëve të PD-së për postin e kryetarit të Degës së PD-së së Tiranës, Bumçi është angazhuar seriozisht në fushatën elektorale në kryeqytet, e cila shënon dhe kulmin e betejës elektorale. Ai ka mbledhur kandidatët për këtë qark. Ka zhvilluar disa mbledhje, ku ka ndarë zonat elektorale, ka dhënë direktivat e organizimit të fushatës në Tiranë. Ndërsa Majlinda Bregu, përveç rolit kryesor që ka në aspektin mediatik të fushatës së përgjithshme elektorale, është marrë dhe me performancën e PD-së. Sipas burimeve është ajo negociatorja mes PD-së dhe kompanisë amerikane “PSB”, që do të organizojë fushatën e PD-së. Bregu gjithashtu është pjesë e imazhit të PD-së për Tiranën duke qenë deputete e zgjedhur në këtë qark në vitin 2005.
Në hije
Jo të pakta janë ato figura që pavarësisht kontributeve në Partinë Demokratike, kanë mbetur në hije gjatë kësaj fushate. Kjo dhe për faktin se nga njëra fushatë në tjetrën ndoshta duken më të konsumuar në sytë e publikut. Të tillë duket se janë ministrat Bode, Ruli e Gjana. Po në hije është lënë dhe paraqitja elektorale e Rusmalit, Shehut, Pollos. Pak më ndryshe janë shfaqur Astrit Patozi e Sokol Olldashi, të cilët janë angazhuar në zonën e tyre elektorale. Megjithatë, pritet që në mitingun e së hënës në Tiranë, i cili hap siparin e fushatës elektorale për PD-në, të 140 kandidatët për deputetë të jenë në qendër të vëmendjes së kësaj fushate elektorale.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›