“Poli i lirisë” hap fushatën elektorale
Koalicioni i djathtë “Poli i lirisë” ka hapur dje në Tiranë fushatën elektorale. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka kërkuar votën për këtë koalicion duke u shprehur se ka ardhur koha që vendi të dalë nga rrethi vicioz i krijuar prej 18 vjetësh, ku në pushtet kanë ardhur vetëm dy parti. Ai është shprehur se nga viti ‘92 e deri tani pluralizmi në Shqipëri ka ardhur duke u ngushtuar dhe aktualisht, sipas tij, jetojmë në oligarki dhe jo në demokraci. Shehi u shpreh se duhet luftuar autokracia dhe se shqiptarët, me votën e tyre, duhet të japin një leksion për zotërinjtë që janë sot në pushtet dhe për ata që pretendojnë të vijnë pas 28 qershorit. “Jemi mbledhur për t’i dhënë vendit një shans tjetër. Për të dalë nga polarizimi. Kemi mundësinë të shtojmë alternativat tona. Ne u nisëm për një shtet të lirë, një shtet jo autoritar, për një shtet arbitër të lirive dhe të drejtave tona. Ne nuk duhet të mbetemi brenda këtij rrethi vicioz, brenda të cilit jetojmë prej 18 vjetësh. Ne krijuam pluralizmin dhe pas 18 vjetësh e ngushtuam këtë pluralizëm në 2 parti. Ne, me ligjin e ri elektoral, e bëmë pluralizmin në dy persona dhe po shkojmë drejt një njeriu të vetëm. Kemi të bëjmë me oligarki dhe jo më demokraci”, - është shprehur Shehi. Para simpatizantëve të kësaj partie Shehi prezantoi disa pika të programit politik. Ai u shpreh se në qendër të programit është zhvillimi i bujqësisë nëpërmjet subvencionimit të fermerëve shqiptarë. Sipas tij, Poli i Lirisë synon zgjedhjen përfundimtare të çështjes së pronës, si dhe reformimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor. Edhe kryetari i këtij koalicioni, Aleksandër Meksi, kërkoi votën e qytetarëve shqiptarë për të dalë nga kjo politikë e polarizuar.
1 Qershor 2009