Topalli prezanton kandidatët e PD-së në qarkun e saj, në Shkodër
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, është ndalur dje në qytetin e Shkodrës, ku ka çelur fushatën zgjedhore në këtë qytet dhe ka prezantuar kandidatët e PD-së për këtë qark. Kryetarja e Kuvendit tha se nënat në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë do të votojnë atë alternativë që ka ndryshuar vendin dhe që do të përmirësojë më tej jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. “Kësaj radhe do të fitojmë në të gjithë Shqipërinë si në ‘92-shin”, - tha kryetarja e Kuvendit. Gjatë fjalës së saj në këtë miting Topalli nuk ka hezituar të sulmojë kryetarin e PS-së, Edi Rama, duke e cilësuar atë humbës përderisa nuk pranoi të futej në garë. “Unë i them kryetarit të Bashkisë së Tiranës sot nga Shkodra: Ti je çuar për të ikur qëkur ke votuar kundër rritjes së rrogave. Ti je çuar për të ikur kur ke votuar kundër rritjes së pensioneve. Ti je çuar për të ikur që nga momenti që proteston për gjëra që nuk ekzistojnë”, - është shprehur Topalli.
Në qarkun e Shkodrës ajo prezantoi kandidatët e PD-së: Astrit Bushati, Arenca Trashani, Gëzim Dibra, Gjok Uldedaj, Paulin Sterkaj, Ndue Paluca, Ramiz Çobaj, Gjovalin Çuni, Shpresa Tepelia dhe Bardhi Spahiaj.
1 Qershor 2009