Ndokaj: “PD-ja ka ndërmarrë fushatë shkarkimesh politike ndaj nëpunësve të administratës”
Kandidati për deputet i Partisë Demokristiane në Tiranë, Jak Ndokaj, ka denoncuar dje atë që ai e quajti fushatë shkarkimesh politike të ndërmarra nga PD-ja ndaj nëpunësve të administratës shtetërore. “Janë larguar në mënyrë të paligjshme nga administrata qendrore e lokale me dhjetëra aktivistë të PDK-së, të gjithë të kërcënuar të zgjedhin midis punës në shtet apo angazhimin në fushatën tonë elektorale. Në disa rrethe, si në Dibër apo Tiranë, fushata represive ndaj PDK-së po drejtohet nga titullarë të lartë të Partisë Demokratike, ministra të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, të cilët do të duhej të ishin zyrtarët më model në respektimin e ligjit për një fushatë elektorale të lirë, demokratike e të ndershme. Ne duam gjithashtu të denoncojmë një numër të madh presionesh politike të ndërmara nga administrata tatimore e doganore kundër njerëzve të biznesit dhe individëve të angazhuar përmes financimit apo kontributit vullnetar pranë Partisë Demokristiane”, - është shprehur Ndokaj. Sipas tij, këto akte janë të dënueshme nga ligji dhe përbëjnë një kërcënim për barazinë dhe klimën zgjedhore. “Në emër të PDK-së i bëj thirrje maxhorancës aktuale të ndalojë fushatën represive ndaj aktivistëve tanë”, - është shprehur Ndokaj.
1 Qershor 2009