Koçi: Qeveria po manipulon këshillat, PS të distancohet nga tradhtarët
Partia e Socialiste e Vërtetë e drejtuar nga Petro Koçi denoncon fenomenin e trafikimit të këshilltarëve vendorë, i evidentuar jo pak ditët e fundit në konstituimet e këshillave të bashkive dhe qarqeve. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat kreu i kësaj force, Petro Koçi, akuzon mazhorancën se me politikën e blerjes dhe të presionit po detyron këshilltarët e majtë që të kalojnë djathtas. Procesi zgjedhor i autoriteteve drejtuese të qarqeve po shoqërohet me një korrupsion të shëmtuar politik për shkak të përpjekjeve të paskrupullta të qeverisë për të deformuar nëpërmjet politikës së kërbaçit dhe kulaçit vullnetin e lirë të përfaqësuesve të opozitës në këshillat e qarqeve”, - shprehet Petro Koçi. PSV denoncon përpjekjet e mazhorancës, e cila, sipas kësaj force, po tenton të manipulojë dhe ndryshojë kreun e qarkut Fier, të zgjedhur tashmë ligjërisht nga radhët e opozitës. “Qeveria po bën përpjekje për të ndryshuar përfaqësimin në qark të këshillave të bashkive Fier e Patos, të komunës Levan etj. e për të zëvendësuar përfaqësuesit e opozitës me ata të qeverisë. me qëllim grabitjen e mandatit të kryetarit të qarkut”, - thekson Koçi. Ndërkohë ai bën thirrje që opozita të nxjerrë mësime dhe të distancohet nga bashkëpunëtorët e këtij procesi brenda radhëve të saj, të cilët për interesat e tyre financiare kanë përfshirë në listat e këshilltarëve njerëz pa kritere përfaqësuese”, - thekson Koçi.