E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Rama ka kontratë me Bashkinë e Tiranës, Meta për kryeministër

• Deputeti Petro Koçi u shpreh në studion e televizionit "Alsat" me gazetaren Eni Vasili, se Edi Rama ka një kontratë katërvjeçare me qytetarët e Tiranës në krye të bashkisë.Sipas tij, nëse ai do të kërkojë të jetë kryeministër, nëse opozita fiton zgjedhjet e vitit 2009, kjo do të ishte një pabesi ndaj elektoratit të tij. "Zoti Rama është kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur për një mandat katërvjeçar dhe jo për dy vjet. Unë mendoj se do të ishte një lloj pabesie ndaj elektoratit nëse ai do ta braktiste këtë detyrë. Nëse do të ishte kështu, duhet ta kishte deklaruar që në momentin e kandidimit të tij në mandatin e tretë në Bashkinë e Tiranës", tha Koçi. Por deputeti socialist vlerëson figurën e Ilir Metës dhe shprehet se ai mund të jetë një kandidat i mundshëm i të majtës për kreun e Ekzekutivit. "Meta mbetet një figurë aktive, e fuqishme e së majtës, mbetet një faktor vendimtar për sa i takon rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme, dhe nuk mund të përjashtohet nga mundësia e të qenit drejtues i qeverisë së ardhshme të së majtës së bashkuar", tha Koçi. Deputeti socialist ka dhënë kështu opinionin e tij në lidhje me debatin e hapur brenda së majtës, pas deklaratës së kryetarit të Asamblesë Kombëtare socialiste, Gramoz Ruçi, se nëse e majta fiton zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës, Edi Rama do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. Kjo deklaratë e Ruçit është komentuar ftohtë nga LSI, ku vetë Meta është shprehur se qëllimi i të majtës është largimi i Berishës nga pushteti. Petro Koçi duke analizuar peshat elektorale të së majtës, tha se LSI mbetet një faktor vendimtar në zgjedhje. Sipas tij, ka qenë vetë bashkëpunimi PS-LSI që solli Ramën në krye të Bashkisë së Tiranës në mandatin e tretë të tij. "Është një çështje që ka lidhje me marrëdhëniet midis tyre, sidomos në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës, sepse përveç një pakti midis forcave politike që solli një fitore, që zoti Rama e ka shprehur 'se binomi i fitores së zgjedhjes është binomi PS-LSI', deklaratë që ka bërë kryetarët e tjerë të partive aleate të ndjehen keq, besoj se ka pasur edhe një lloj pakti mes tyre për çështje jo vetëm të atyre zgjedhjeve, por edhe për të ardhmen", tha Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›